Numri i viktimave në Sudan nga përleshjet e vazhdueshme midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) ka arritur në 83, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 1.126, tha të dielën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
OBSh-ja nëpërmjet një komunikate u bëri thirrje palëve të respektojnë paanshmërinë në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe të garantojnë qasje të pakufizuar në objektet e kujdesit shëndetësor për të lënduarit në konflikt.
Dy anëtarë të familjes së ministrit sudanez të Mineraleve Mohamed Bashir humbën jetën kur raketat goditën shtëpinë e tyre në kryeqytetin Khartoum gjatë përleshjeve.
Tre persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy truproja. Ndërkohë, ministri Bashir shpëtoi i padëmtuar.
Të shtunën, godina e Ministrisë së Mineraleve ishte gjithashtu në shënjestër.
Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) njoftuan se RSF-ja shënjestroi disa ndërtesa në selinë e ushtrisë në kryeqytet dhe kreu një sulm me snajperë.
Duke u bërë thirrje anëtarëve të RSF-së që të nxitojnë për t’u bashkuar me ushtrinë për t’i shërbyer vendit të tyre, SAF-i theksoi se janë të njoftuar se anëtarët e RSF-së që i kanë shërbyer vendit të tyre më parë janë larg të qenit një mjet që do t’u shërbejë qëllimeve dhe agjendës së një personi të vetëm.
"Vendi ka ende nevojë për mbështetjen tuaj”, thotë SAF-i.
Sipas tyre situata do të zgjidhet së shpejti.
Një mosmarrëveshje midis ushtrisë dhe RSF-së në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake, e cila parashikon “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, ishte kthyer në një konflikt të nxehtë muajt e fundit.
Mosmarrëveshja midis dy palëve doli në sipërfaqe të enjten, kur ushtria tha se lëvizjet e fundit nga RSF-ja kishin ndodhur pa koordinim dhe ishin të paligjshme, me përçarjen e tyre të përqendruar rreth një kalimi të propozuar drejt sundimit civil.
Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.
Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.