Rusia del nga marrëveshja e reduktimit të armëve, reagon NATO-ja / Foto: AA

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, njoftoi se Rusia e suspendon pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Reduktimin e Armëve Strategjike, e njohur si marrëveshja START i ri. Ky vendim, siç njofti presidenti rus Putin, hyn në fuqi që sot, më 21 shkurt.

Marrëveshja START është lidhur mes Shteteve të Bashkuara të Amerkës dhe Federatës Ruse më 8 prill 2010 në Pragë dhe hyri në fuqi më 5 shkurt 2011 pas ratifikimit në shtetet përkatëse. Ajo parashikon uljen e numrit të armëve bërthamore. Parashikon mekanizëm inspektimi dhe verifikimi në të dyja shtetet.

Pas publikimit të vendimit nga presidenti rus, ka reaguar edhe NATO-ja. Aleanca Veriatlantike i bën thirrje Rusisë të rishqyrtojë vendimin për suspendimin e pjesëmarrjes në marrëveshje, pasi sipas tyre ky vendim do të rrënonte infrastukturën e kontrollit mbi armët.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vlladimir Putin paralajmëroi se sa më shumë armë me rreze të gjatë i dërgohen Ukrainës nga Perëndimi, Rusia aq më shumë do të detyrohet ta largojë rrezikun nga kufijtë e saj.

“Sa më shumë sisteme perëndimore me rreze të gjatë i jep Perëndimi Ukrainës, aq më larg do ta largojmë rrezikun nga kufijtë tanë. Është e natyrshme”, tha Putin, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin rus.

TRT Balkan / agjencitë