Presidenti rus Vlladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian nënshkruan të premten një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Kremlin pas bisedimeve mes dy liderëve.
“Arritjet dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë në shkallë të gjerë dhe reciprokisht të dobishme”, tha Putin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
"Ne jemi të kënaqur me rezultatet e negociatave aktuale," tha ai, duke shtuar: "Kam besim se marrëveshjet e arritura do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të të gjithë kompleksit të marrëdhënieve dhe lidhjeve ruso-iraniane".
Ai shtoi se Rusia ka prioritet forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore ruso-iraniane.
Putin njoftoi gjithashtu se Rusia po vazhdon me një projekt të tubacionit të gazit natyror në Iran. Fillimisht, pala ruse ka në plan të dërgojë deri në 2 miliardë metra kub gaz natyror në vit, me mundësinë e rritjes së furnizimeve në 55 miliardë metër kub në të ardhmen.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili ndodhet në Moskë në kuadër të vizitës së tij zyrtare, tha se marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale mes Iranit dhe Rusisë po forcohen çdo ditë.
Marrëveshja zyrtarizon statusin e Moskës dhe Teheranit si partnerë strategjikë dhe vendos një kornizë ligjore për bashkëpunim afatgjatë në shumë sektorë.
Marrëveshja mbulon mbrojtjen, kundër-terrorizmin, energjinë, financat, transportin, industrinë, bujqësinë, kulturën, shkencën dhe teknologjinë.