Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Dmitry Polyansky i propozoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë rezolutë të re të Rusisë për armëpushim në Rripin e Gazës.
Propozimi erdhi për arsye se dokumenti i propozuar nga ShBA-ja dhe miratuar nga Këshilli nuk është zbatuar.
Në një fjalim në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Lindjen e Mesme, Polyansky kritikoi ShBA-në duke thënë se po bëhen përpjekje për të zbatuar një plan të ndryshëm nga vendimi origjinal i votuar në Këshill për bisedimet e armëpushimit në Gaza.
"Izraeli tani këmbëngul në ruajtjen e idesë së një pranie ushtarake në Gaza, përfshirë kontrollin mbi pikën kufitare me Egjiptin dhe 'Korridorin e Filadelfit'. Vërejmë se një ndryshim i tillë në parametrat e marrëveshjes është diçka që disa vende në rajon e kundërshtojnë fuqishëm", deklaroi Polyansky.
Duke parashtruar pyetjen se "Në emër të kujt po veproni duke imponuar një marrëveshje të ndryshme nga origjinali?", diplomati rus shprehu zhgënjimin për mungesën e progresit për armëpushim ashtu sikur u ra dakord në Këshill në muajin qershor. "Këshilli i Sigurimit nuk ka miratuar kurrë një marrëveshje të formuluar në këtë mënyrë", tha Polyansky.
Diplomati rus akuzoi kolegët e tij amerikanë për ndryshimin e parametrave të propozimit të armëpushimit të rënë dakord në favor të Izraelit duke thënë se "Pala amerikane as që u mundua të shpjegonte se cilat ishin këto ndryshime".
Polyansky akuzoi Izraelin për bllokimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe theksoi se operacionet aktuale të ushtrisë izraelite kanë shkaktuar nivel "të pashembullt dhe të paprecedentë" të vdekjeve dhe shkatërrimit të civilëve dhe se kjo është "paligjshmëri e plotë".
"Realiteti është se Washingtoni në thelb ka mbajtur peng të gjithë Këshillin për 10 muaj, kërcënon se do të përdorë të drejtën e vetos dhe në këtë mënyrë na pengon të marrim vendime të ashpra dhe të qarta për çështjen palestineze dhe armëpushimin në Gaza ose avancimin në tërësi të procesit të paqes në Gaza ose Lindjen e Mesme", tha Polyansky.
"Nëse rezoluta 2735 nuk zbatohet, le të nxjerrim një dokument të ri që do të dërgojë mesazhin se ata që e shkelin atë do të përballen patjetër me pasojat e veprimeve të tyre dhe le të marrim vendimin tonë me një praktikë që do të ndihmojë në ndalimin e dhunës, pavarësisht nga teket e çdo pale në konflikt", shtoi ai.