Rusia: Moska do të 'pasqyrojë' Perëndimin dhe NATO-n / Photo: AA

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov tha të premten se Moska do të "pasqyrojë" qasjet e Perëndimit dhe NATO-s, duke përfshirë çështjet e armëve bërthamore.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Ryabkov u tall me administratën e Uashingtonit, duke thënë se në ShBA kanë ardhur në pushtet "punkët", të cilët po shkelin në mënyrë flagrante vijat e kuqe të Rusisë për t'u dukur.

Diplomati theksoi se Rusia përmbahet nga përgjigjja me forcë të plotë dhe ushtron "përmbajtje të jashtëzakonshme" për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke vepruar në mënyrë rigoroze brenda kornizës së përcaktuar nga udhëheqja e vendit dhe të përcaktuar në termat e qëllimeve dhe objektivave të "operacionit special ushtarak".

"Ka edhe nga këta fashionistat në grupin perëndimor, së bashku me punks, të cilët fusin idetë që ata i konsiderojnë të freskëta në diskutimet e asaj që po ndodh," tha ai.

"Për shembull, me urdhër të Uashingtonit, moda e sezonit pranverë-verë 2024 është pretendimi se presidenti rus Vlladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë, por do të sulmojë patjetër vendet e tjera të NATO-s," tha ai, duke i quajtur pretendimet e tilla "plotësisht absurde."

Ryabkov theksoi se deklarata të tilla janë më shumë se thjesht dezinformim për të shtrembëruar thelbin e politikës së jashtme ruse.

“Ekziston edhe një tendencë tjetër. Ky është pretendimi se duhet treguar pasiguri dhe paqartësi strategjike në lidhje me Rusinë në mënyrë që Moska të mos dijë se si do të veprojë NATO-ja në një situatë të caktuar.

“Sidoqoftë, kjo pasiguri ka qenë gjithmonë karakteristike për qasjet doktrinore të grupit perëndimor, përfshirë ato që lidhen me armët bërthamore”, tha zëvendësministri i Jashtëm, duke u zotuar: “Ne do t'i pasqyrojmë ato në këtë çështje”.

I pyetur për mundësinë e uljes së nivelit të marrëdhënieve diplomatike, ai tha se duke pasur parasysh krizën aktuale në marrëdhëniet, asgjë nuk mund të përjashtohet, megjithëse nuk është zgjedhja e Rusisë.

“Ata që janë në pushtet në ShBA dhe në shtetet e tjera kryesore perëndimore kanë mbledhur së fundmi shumë figura që janë, në përgjithësi, provokatorë dhe e kanë bërë kuptimin e ekzistencës së tyre një provë të forcës së Moskës”, tha ai.

Ryabkov iu përgjigj gjithashtu një pyetjeje në lidhje me vizitën e Sekretarit të Shtetit amerikan Antony Blinken në Ukrainë duke thënë: "Pak para nisjes së këtij grupi në Kiev, ne morëm informacionin përkatës".

Sa i përket shkëmbimit të të burgosurve, ai vuri në dukje se frekuenca e kontakteve për këtë çështje varet nga pala amerikane, e cila fokusohet në rastet e profilit të lartë të ndjekura nga pauza të gjata.

Në përgjigje të pretendimeve se Rusia synon të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të 2024 në ShBA, Ryabkov tha se nuk ka pasur ndërhyrje ruse në zgjedhjet e kaluara dhe se nuk do të ketë asnjë, pasi Moska në thelb nuk ndërhyn në fushatat zgjedhore në asnjë vend, me ShBA-në duke mos qenë përjashtim.

Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit, tha sipas tij, Moska po monitoron situatën, por nuk sheh perspektiva për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, pavarësisht se kush fiton, për shkak të "konsensusit thelbësisht antirus midis elitave amerikane".

AA