Sadiq Khan: Myslimanët e Britanisë të shqetësuar për ofensivën izraelite / Photo: AA

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, në një deklaratë të fundit është shprehur se komuniteti mysliman i Mbretërisë së Bashkuar është i shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse trupat izraelite hyjnë në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, një nga strehat e fundit për qindra mijëra palestinezë në enklavën e rrethuar.

“Duhet shpallur armëpushim emergjent”, deklaroi Khan duke theksuar se mbi 30 mijë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë deri më tani nga Izraeli gjatë ofensivës 5-mujore.

Deklarata e kryebashkiakut erdhi gjatë ndriçimit të rrugës "Coventry" për festat e Ramazanit, ku ai ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme në nivel ndërkombëtar.

Më tej, Khan tha se “Veprimet e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë qenë mjaft të mira. Rushi Sunak thotë se ai është aleat i ngushtë i Netanyahut. Ku janë provat e ndikimit mbi aleatin e ngushtë.”

Liderët botërorë dhe grupet humanitare kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare nëse Izraeli fillon ofensivë në shkallë të plotë në Rafah, një qytet ku Izraeli u tha palestinezëve të shkojnë për të shpëtuar nga sulmet në veri të enklavës.

Për sulmin e befasishëm të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, Khan tha se ishte gabim ajo që ndodhi më 7 tetor. Por, gjithashtu u shpreh se të gabuara janë edhe veprimet e qeverisë izraelite lidhur me atë që ka shkaktuar përgjatë ofensivës.

Khan ka theksuar se mbi 30 mijë burra, gra dhe fëmijë kanë humbur jetën dhe se duhet të ketë armëpushim të menjëhershëm. "Në gjithë globin, myslimanët do të agjërojnë dhe do të falen gjatë Ramazanit. Ata do të japin para për bamirësi. Kjo është koha që më në fund të ndodhë armëpushimi", bëri thirrje ai.

Rruga e famshme stoliset me dritat e Ramazanit

Këtë vit për herë të dytë është zbukuruar me drita për muajin e Ramazanit rruga "Conventry". Shënimet "Gëzuar Ramazanin" ndriçonin përgjatë rrugës, e cila është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit.

Ndriçimi u mundësua nga grupi jofitimprurës "Ramadan Lights UK", një grup i cili synon të përhapë informacione rreth Ramazanit. Me ndihmën e donacione nga organizatat muslimane dhe publiku, dritat u përgaditën nga Ayşe Desai, e cila u frymëzua nga dritat e Krishtlindjeve.

Për ekspozimin e veçantë të ndriçimit interes të madh treguan vizitorët e huaj dhe londinezët. Dritat do të vazhdojnë të jenë të ndezura deri me përfundimin e muajit të Ramazanit, më 12 prill.

AA