Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Türkiyes, Abdulkadir Uraloğlu, ka bërë të ditur se sateliti turk ‘Turksat 6A’, sateliti i parë i komunikimit i prodhuar në vend, ka hyrë me sukses në orbitën e tij të përhershme gjeosinkrone në 42 gradë në lindje, transmeton Anadolu.
“Pas gjashtë lëshimeve, ‘Turksat 6A’ ka mbërritur në orbitën e tij të përcaktuar. Ne planifikojmë të përfundojmë procesin e testimit dhe ta vëmë në shërbim satelitin në tremujorin e parë të vitit 2025”, shkroi Uraloğlu në rrjetin social X.
Uraloğlu kujtoi se sateliti ‘Turksat 6A’, i cili filloi udhëtimin më 9 korrik nga qendra e nisjes në Kepin Canaveral i kompanisë ‘SpaceX’, arriti në orbitën e përkohshme në 50 gradë në lindje më 20 korrik.
Gjatë kësaj kohe, sateliti iu nënshtrua dhe kaloi testet e ngarkesës. Uraloğlu tha se pas një rregullimi përfundimtar më 27 dhjetor rreth orës 05:00 me kohën turke, sateliti tanië është vendosur në orbitën e tij përfundimtare, 35.786 kilometra mbi Tokë.
Një moment historik kombëtar në hapësirë
Uraloğlu theksoi rëndësinë e satelitit ‘Turksat 6A’, duke e përshkruar atë si projekt më të madh të kërkimit dhe zhvillimit në historinë e Türkiyes dhe një gur themel për ambiciet hapësinore të vendit.
Ai po ashtu theksoi rrugëtimin 20-vjeçar të satelitit ‘Turksat 6A’, që filloi me themelimin e satelitit dhe nënshkrimin e kontratës satelitore një dekadë më parë. Shkalla e lartë e lokalizimit, e arritur në prodhimin e tij, pasqyron suksesin e Programit të Trajnimit për Transferimin e Teknologjisë, të iniciuar nga ‘Turksat’.
“Ky nuk është thjesht një satelit komunikimi. Ky është realizimi i një projekti që do të formojë të ardhmen e Türkiyes në hapësirë dhe do të forcojë ndikimin e saj global”, tha Uraloğlu.
“Inxhinierët e Turksat-it fituan përvojë të vlefshme duke punuar në Turksat 3A, 4A, 4B, 5A dhe 5B. Kjo ekspertizë arriti kulmin me krimin e Turksat 6A, një satelit që është një dëshmi e dy dekadave të përkushtimit dhe inovacionit”, shpjegoi ministri turk.
Zgjerimi i mbulimit dhe potencialit të eksportit
Më tej, Uraloğlu theksoi se ‘Turksat 6A’ u zhvillua në bashkëpunim me kompani të njohura turke si ‘ASELSAN’, ‘TAI’, ‘TÜBİTAK UZAY’ dhe ‘CTECH’, me të gjithë komponentët e prodhuara në vend.
“Çdo pjesë e prodhuar në vend e ‘Turksat 6A’ ka fituar përvojë hapësinore, duke i hapur rrugën mundësisë së eksportit. Vendet që prodhojnë satelitë komunikimi tani do të jenë në gjendje t’i blejnë këto komponentë nga Türkiye”, tha ai.
Me lëshimin e satelitit ‘Turksat 6A’, mbulimi satelitor i Türkiyes do të zgjerohet ndjeshëm.
‘Turskat’ aktualisht operon pesë satelitë komunikimi, respektivisht 3A, 4A, 4B, 5A dhe 5B, të cilat mbulojnë orbitat në 31, 42 dhe 50 gradë në lindje, duke arritur një popullsi globale prej 3.5 miliardë.
‘Türksat 6A’ do të zgjerojë mbulimin në rajone të tjera, duke përfshirë Azinë Juglindore, me një fokus të veçantë në vende si India, Tajlanda, Malajzia dhe Indonezia.
“Sateliti do të rrisë popullsinë e mbuluar nga ‘Turksat’ nga 3.5 miliardë në mbi 5 miliardë, duke i mundësuar Türkiyes të arrijë më shumë se 65 për qind të popullsisë globale”, tha Uraloğlu.
Ministri turk theksoi se ‘Turksat 6A’ pasqyron transformimin e Türkiyes gjatë dy dekadave të fundit, duke demonstruar fuqinë e saj në rritje në tokë, det, hekurudhë dhe tani në hapësirë.
“Me ‘Turksat 6A’, Türkiye ka forcuar pozicionin e saj si një lider në rajonin e saj dhe një lojtar global në hapësirë. Kjo arritje përforcon pozitën e Türkiyes si një vend me zë në botë dhe tani edhe në hapësirë”, theksoi ministri turk, Uraloğlu.