Scholz flet me Netanyahun: Shpreh shqetësim për konfliktin rajonal /      Foto: AA

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Një deklaratë nga zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit tha se gjatë bisedës, Scholz bëri thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme ofrimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve shëndetësore në Rripin e Gazës.

Scholz tha gjithashtu se ai mirëpret propozimin e presidentit amerikan Joe Biden për një armëpushim në Gaza.

Scholz dhe Netanyahu shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme. Kancelari gjerman shprehu shqetësimin për konfliktin rajonal.

Kujtojmë që presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se Izraeli i kishte paraqitur grupit të rezistencës palestineze Hamasin një marrëveshje trefazore që do t'i jepte fund armiqësive në Rripin e rrethuar të Gazës dhe do të siguronte lirimin e të burgosurve.

Biden i bëri thirrje Hamasit që ta pranonte marrëveshjen dhe i kërkoi Netanyahut t'i rezistonte presionit nga anëtarët e koalicionit të tij qeverisës që e kundërshtojnë planin.

Zyra e Netanyahut përsëriti të premten synimin e tij për të vazhduar sulmin në Rripin e Gazës derisa të përmbushen të gjitha qëllimet e luftës së Tel Avivit.

Hamasi ka thënë se do t'i përgjigjet pozitivisht çdo propozimi që përfshin një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, përpjekjet për rindërtim, kthimin e të zhvendosurve dhe përfundimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të shkëmbimit të të burgosurve.

AA