Izraeli sulmoi mbrëmë një strehimore që i përkiste organizatës bamirëse mjekësore "Mjekët pa Kufij" (MSF) në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën dy persona.
"Forcat izraelite kryen një operacion në Al Mawasi, Khan Younis, Gaza, ku u bombardua një strehimore e stafit të MSF-së dhe familjeve të tyre", tha MSF në X.
"Përderisa detajet vazhdojnë të dalin, ekipet e ambulancës kanë mbërritur tani në vend, ku të paktën dy anëtarë të familjes së kolegëve tanë janë vrarë dhe gjashtë persona janë plagosur. Jemi të tmerruar nga ajo që ka ndodhur", shtoi ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor, në të cilin, sipas Tel Avivit, thuhet se janë vrarë afro 1.200 izraelitë.
Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës është rritur në 29.195, njoftoi të martën Ministria palestineze e Shëndetësisë, ndërsa 69.170 persona të tjerë janë plagosur.
Sipas të dhënave të OKB-së, për shkak të sulmeve izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda enklavës dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 70 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.