Përgatitjet për pritjen dhe qëndrimin e kreut të shtetit kinez janë përpunuar në detaje dhe rolin kryesor të mikpritësit do ta ketë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Avioni i presidentit kinez do të pritet në hapësirën ajrore të Serbisë nga MIG-të e Forcave të Armatosura të Serbisë (SAF) dhe të njëjtat do ta përcjellin atë në fund të vizitës, gjatë së cilës 3.400 policë do të kujdesen për sigurinë e tij.
Të mërkurën paradite para Pallatit të Serbisë do të pasohet një pritje zyrtare me nderimet më të larta, ndërsa gjatë takimit të delegacioneve të të dyja vendeve pritet të nënshkruhen rreth tridhjetë marrëveshje dypalëshe. U njoftua se Xi Jinping do të shoqërohet nga rreth 400 zyrtarë politikë dhe biznesmenë.
Në kuadër të përgatitjeve për ardhjen e Xi Jinping, Vuçiq u takua të hënën me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming.
“Nderi që po i bën vendit tonë me ardhjen e tij është i pamatshëm për të gjithë ne, veçanërisht duke marrë parasysh planet e Serbisë për një përshpejtim të fuqishëm të zhvillimit të përgjithshëm, si dhe kontekstin gjeopolitik global”, ka shkruar Vuçiq në Instagram pas takimit.
Ai vuri në dukje se Serbia është krenare për "miqësinë e saj të hekurt me Kinën".
“Ne po presim me padurim vizitën e presidentit Xi, të bindur se mikpritja jonë do të tregojë se sa shumë Serbia e vlerëson partneritetin me këtë vend të madh”, tha Vuçiq.
Presidenti kinez Xi Jinping, në kuadër të turneut të tij të parë evropian pas pandemisë Covid-19, tashmë ka vizituar Francën dhe deri më 10 maj do të vizitojë Serbinë dhe Hungarinë.
Kjo do të jetë vizita e dytë e kreut të shtetit kinez në Serbi në tetë vitet e fundit.