Sërish bombardime në Kiev, bllokohet eksporti i drithërave ukrainase.     Foto: Reuters Archive 

Disa shpërthime u dëgjuan në Kiev të hënën, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan për sulme me raketa në mbarë vendin. Dëshmitarët thanë për Reuters se të paktën 10 raketa goditën kryeqendrën, ndërsa janë goditur edhe qytete të tjera. Si pasojë e sulmit është ndërprerë energjia elektrike dhe rrjeti i telefonisë celulare në disa pjesë të Kievit.

“Tjetër tufë raketash ruse godasin infrastrukturën kritike të Ukrainës. Në vend se të luftojnë në fushëbetejë, Rusia po lufton civilët. Mos i arsyetoni këto sulme duke i quajtur ‘përgjigje’. Rusia e bën këtë sepse i ka akoma raketat dhe vullnetin për të vrarë ukrainas”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Këto zhvillime vijnë pasi Moska akuzoi Kievin për sulm ndaj flotës detare në Detin e Zi, duke u tërhequr nga marrëveshja për lejimin e dërgesave ukrainase të drithërave.

Marrëveshja e Grurit ishte arritur me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe të Türkiyes.

Ukraina nuk e ka konfirmuar ose mohuar se qëndron pas sulmeve ndaj flotës detare ruse, që është politikë e tyre tipike për çdo incident në Krime.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se “po shantazhon botën me uri”.

Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të ushqimit dhe bllokimi rus i dërgesave ukrainase të drithërave shkaktoi krizë globale të ushqimit gjatë këtij viti.

Reuters