Të paktën 300 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë në luftën me Ukrainën, njoftoi të hënën Koreja e Jugut.
Rreth 2.700 të tjerë janë plagosur, sipas Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Koresë së Jugut, raporton agjencia "Yonhap News" me seli në Seul.
Zbulimi i agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të dielën tha se ishte i gatshëm të dorëzonte dy ushtarë të Koresë së Veriut të kapur, në këmbim të kthimit të robërve të luftës ukrainas nga Rusia.
Zelenskyy pretendoi se të paktën dy ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në paraburgim në Ukrainë.
Pheniani dhe Moska nuk janë prononcuar për zhvillimet që kur Seuli dhe aleatët e tij perëndimorë pohuan disa muaj më parë se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi për të luftuar kundër Kievit.
Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut deklaroi se "humbjet masive" ndër ushtarët e Koresë së Veriut janë pasojë e "mospërputhjes së tyre me luftën moderne", përfshirë veprimet e tyre "të padobishme për të qëlluar ndaj dronëve me rreze të gjatë".
Raportet për dërgimin e trupave kanë fituar rëndësi që kur Pheniani dhe Moska vitin e kaluar nënshkruan një pakt gjithëpërfshirës të mbrojtjes, i cili kërkon që secila palë t’i ofrojë ndihmë ushtarake tjetrës në rast të agresionit nga një palë e tretë.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka vazhduar për gati tre vite. Mijëra njerëz kanë humbur jetën dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.