ShBA-ja: 5 njësi ushtarake izraelite shkelin rëndë të drejtat e njeriut / Photo: AA

ShBA-ja njofton se ka zbuluar pesë njësi ushtarake izraelite që kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut përpara nisjes së luftës së Izraelit në Gaza pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.

Vedant Patel, Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, u shpreh se “katër nga këto njësi kanë korrigjuar në mënyrë efektive shkeljet”, duke nënvizuar se të gjitha incidentet kanë ndodhur përpara 7 tetorit dhe asnjë nuk ndodhi në Rripin e Gazës, ku është fokusi i konfliktit që nga tetori i kaluar.

Më tej, Patel tha se korrigjimi është në përputhje me atë që ShBA-ja pret të bëjnë partnerët e saj.

Sipas Patel, ShBA-ja është në konsultime të vazhdueshme me qeverinë e Izraelit. Ai shtoi se qeveria izraelite ka dorëzuar informacione shtesë në lidhje me atë njësi.

Raportet e fundit të mediave amerikane kanë theksuar se Uashingtoni po përgatitet të vendosë sanksione ndaj batalionit Netzah Yehuda të ushtrisë izraelite për shkeljet e të drejtave të njeriut kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

AA