Rafah / Foto: AA

Administrata amerikane tha se nuk ishte informuar për datën e operacionit tokësor izraelit në Rafah në Gazën jugore.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, komentoi deklaratën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se është caktuar një datë për operacionin në Rafah.

Miller deklaroi se ata nuk ishin të informuar për operacionin tokësor.

"Ne ende nuk i kemi parë ata të paraqesin një plan të besueshëm në lidhje me 1,4 milion civilët në Rafah," tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i ShBA-së.

Duke thënë se një "operacion në shkallë të gjerë" kundër Rafahut do të kishte pasoja të tmerrshme për civilët, Miller tha se në fund do të kërcënonte sigurinë e Izraelit.

"Ne ua kemi bërë të qartë atyre (Izraelit) se mendojmë se ka një mënyrë më të mirë për të mposhtur Hamasin, i cili është ende në Rafah, dhe për të arritur një objektiv legjitim," tha Miller.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha mbrëmë se është caktuar një datë për një sulm tokësor në Rafah në Rripin jugor të Gazës, ku rreth 1,5 milion palestinezë janë strehuar nga pjesë të tjera të enklavës palestineze.

Netanyahu tha në llogarinë e tij në rrjetet sociale X se qëllimi i tyre ishte lirimi i të burgosurve në Gaza dhe "fitorja kundër Hamasit".

Ai pretendon se për këtë është i nevojshëm një sulm në Rafah.

Në lidhje me sulmin tokësor në Rafah, ku janë strehuar 1,5 milion njerëz të zhvendosur nga sulmet izraelite, Netanyahu tha: "Kjo do të ndodhë, ka një datë".

Shtëpia e Bardhë njoftoi mbrëmë se bisedimet për Rafahun, të cilat ishin planifikuar për këtë javë në Uashington ndërmjet delegacioneve amerikane dhe izraelite, janë shtyrë edhe një herë për shkak të “negociatave aktuale për armëpushim”.

Qyteti i Rafahut, i vendosur në jug të Gazës, në kufirin me Egjiptin, ishte shtëpia e rreth 280.000 palestinezëve përpara sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve izraelite më 7 tetor, 1,9 milion njerëz u zhvendosën në Rripin e Gazës, i cili ka një popullsi prej 2,3 milionë banorësh.

Shumica e palestinezëve të zhvendosur janë strehuar në Rafah, për të cilin Izraeli më parë pretendonte se ishte "i sigurt". Me ardhjet nga rajonet veriore, popullsia e Rafahut u katërfishua, duke arritur në 1,5 milion.

Shumica e palestinezëve që u strehuan në Rafah për shkak të mungesës së akomodimit adekuat, luftojnë për të mbijetuar në kampe të përbëra nga tenda të improvizuara.

Rafah bombardohet shpesh nga forcat izraelite dhe ka frikë se nëse Izraeli kryen një sulm tokësor në këtë qytet, civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës.

AA