Ministri i Mbrojtjes i administratës së re të Sirisë, Murhaf Abu Qasra, ka deklaruar se marrëdhëniet e administratës siriane me Türkiyen do të jenë “të shkëlqyera”.
Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin sirian Damask, Abu Qasra tha se do të zhvillojnë bisedime me vendet lindore dhe perëndimore për pajisjen e ushtrisë kombëtare siriane dhe se me zyrtarët turq vazhdojnë të diskutojnë edhe praninë e Forcave të Armatosura Turke në Siri.
Lidhur me grupin terrorist PKK/YPG, Abu Qasra tha se organizata terroriste “duhet të shpërbëhet para Konferencës së Dialogut Kombëtar”.
I pyetur për qëndrimin e grupit terrorist PKK/YPG për çështjen e shpërbërjes së grupeve të armatosura dhe grupimit nën çatinë e Ministrisë së Mbrojtjes, Abu Qasra tha se negociatat janë në vazhdim dhe se janë gati për “çdo skenar”.
Duke përmendur pretendimin e terroristëve të PKK/YPG-së se “ka 10 mijë luftëtarë të DEASh-it” në burgjet e tyre, Abu Qasra tha se ata vlerësojnë se numri i saktë është rreth 2.500.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
Grupi terrorist PKK/YPG ka synuar ta shfrytëzojë pasigurinë që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit për t'i rritur përpjekjet për të krijuar një “korridor terrorist” përgjatë kufirit me Türkiyen.
Lidhur me pushtimin e vazhdueshëm të territorit sirian nga ushtria izraelite pas rënies së regjimit të Partisë Baath, duke kaluar përtej Lartësive të Golanit dhe zonës tampon, Abu Qasra tha se ata janë “në kontakt me ndërmjetësit për t'i ndaluar përparimet izraelite në jug”.
“Ne po u bëjmë presion që të tërhiqen”, shtoi ai.
Kthimi i oficerëve që u larguan nga ushtria gjatë regjimit të rrëzuar
Më tej, Abu Qasra njoftoi se janë mbajtur takime me mbi 70 grupe të ndryshme, duke përfshirë me Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA), fraksionet ushtarake në Sirinë jugore dhe Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA) me bazë në al-Tanf.
“Të gjithë ishin pozitiv për vizionin tonë për t’u bashkuar nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Abu Qasra, duke theksuar se ata nuk e shohin të përshtatshme që grupet ushtarake të veprojnë në blloqe të ndara.
Ai theksoi se një komitet prej 10 komandantësh të nivelit të lartë është formuar në ministri dhe do të shqyrtohet skema e ushtrisë. Ai shtoi se transferimi i komandantëve që u larguan nga ushtria siriane në të kalurën do të përfundojë brenda dy muajsh.
“Numri i komandantëve që u larguan nga ushtria në Sirinë veriperëndimore, komandantëve që u largua nga ushtria në fillim të vitit 2011, që punuan me grupet opozitare dhe i oficerëve jashtë vendit është 6.400 deri në 7 mijë”, tha Abu Qasra.
Ai shprehu gjithashtu dëshirën e tij për të blerë makineri dhe pajisje për asgjësimin e minave nga Türkiye për t'i pastruar minat e lëna pas nga forcat e rrëzuara të regjimit të Asadit në Siri.
Lufta kundër grupit terrorist DAESh
Shefi i mbrojtjes i administratës së re siriane tha se Ministria e Punëve të Jashtme e vendit po punon për formimin e marrëdhënieve me Rusinë, si dhe shtoi se “Irani duhet t'i heqë duart nga Siria” dhe se “elementët shiitë sirianë janë përbërës sirianë”.
“Për ta riparuar hendekun mes shoqërisë dhe ushtrisë, detyrë e ushtrisë do të jetë mbrojtja e atdheut dhe popullit. Ministria e Mbrojtjes nuk është një institucion i njërës palë, ajo u përket sirianëve”, theksoi ai.
Abu Qasra po ashtu tha se administrata e re siriane ka një kapacitet të madh për ta përballuar grupin terrorist DAESh.