Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se së shpejti do të vizitojë Ankaranë për të diskutuar me Presidentin Erdoğan anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Stoltenberg rreth kësaj cështje u përgjigj në pyetjet e mediave para takimit joformal të sotëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s të mbajtur në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë.
I pyetur për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Stoltenberg tha se në fillim të javës kishte një bisedë telefonike me presidentin Erdoğan.
"Do të shkoj në Ankara së shpejti. Koha e saktë nuk është përcaktuar ende”, tha Stoltenberg.
Kreu i NATO-s theksoi gjithashtu se anëtarësimi i Suedisë në NATO është po aq i mirë për Suedinë sa është për vendet skandinave, rajonin e Balltikut, por edhe për gjithë NATO-n, pra edhe për Türkiyen dhe aleatët e tjerë.
“Nga sot, 1 qershor, në Suedi hyn në fuqi një ligj i ri anti-terrorist. Kjo tregon se Suedia tani po ndërmerr hapa të rinj për të forcuar luftën kundër terrorizmit, duke përfshirë luftën kundër PKK-së, e cila është një organizatë terroriste jo vetëm në listën e Türkiyes, por edhe të Evropës, por edhe sipas vlerësimit të shumë të tjerëve”, tha Stoltenberg.
Ai tha se mirëpret legjislacionin më të fortë në Suedi që ka hyrë në fuqi dhe forcimin e bashkëpunimit mes Suedisë dhe Türkiyes. Siç tha ai, kjo do të jetë edhe dëshmi se Suedia ka përmbushur obligimet e saj që dalin nga Memorandumi Trepalësh i nënshkruar në Madrid.
"Ne nuk duhet të harrojmë se Türkiye ka disa shqetësime legjitime të sigurisë, sepse asnjë aleat nuk është sulmuar nga terrorizmi aq shumë sa Türkiye. Për këtë arsye, është e rëndësishme të punojmë së bashku me Türkiyen kundër të gjitha formave të terrorizmit. Kjo është arsyeja pse unë mirëpres atë që Aleatët e NATO-s kanë bërë, si dhe atë që bëri Suedia muajin e kaluar për të përshpejtuar luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin me Türkiyen. Jam i bindur se protokolli i anëtarësimit të Suedisë do të ratifikohet së shpejti", përfundoi Stoltenberg.