Shefi i ushtrisë izraelite e pranon: Kemi paguar "çmim të rëndë" në Gaza / Foto: AA

Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ka deklaruar se Izraeli ka paguar një "çmim të rëndë" në luftën në Gaza, duke pranuar humbjen e udhëheqësve dhe luftëtarëve.

Sipas Autoritetit të Transmetimit Izraelit, Halevi i bëri këto komente gjatë një ceremonie diplomimi për oficerët e marinës në qytetin Haifa në prani të komandantit të përgjithshëm të Marinës së Izraelit, zv/admiralit David Saar Salama.

"Ushtria izraelite ka operuar në disa fronte në det, tokë dhe në ajër për më shumë se 150 ditë, duke arritur arritje të rëndësishme çdo ditë drejt përmbushjes së qëllimeve të luftës. Por, krahas arritjeve të shumta në luftë, ne paguam çmime të rënda dhe humbëm komandantët dhe trupat", tha Halevi.

Ai theksoi se "kontrolli i dimensionit detar është i nevojshëm për sigurinë e Izraelit, duke filluar me sigurinë e ujërave në zonën izraelite ekskluzive ekonomike, duke mbrojtur asetet strategjike dhe duke dëmtuar infrastrukturën detare të armikut, elementët dhe aftësitë si në arenat e afërta, ashtu edhe në ato të largëta".

"Shpeshherë, forca detare kombinohen me aktivitetet e forcave tokësore dhe ajrore, duke i mundësuar ushtrisë izraelite të kryejë operacione komplekse", shtoi ai. Shefi i ushtrisë izraelite tha se "integrimi i përbashkët mes këtyre degëve rrit avantazhin cilësor të ushtrisë izraelite". Ai tha se "rëndësia e stërvitjes në kohë lufte është shumëfishuar në krahasim me kohët e zakonshme".

Më tej, Halevi foli edhe për debatin në Izrael mbi projektligjin e paraqitur nga qeveria në parlament, i cili përjashton hebrenjtë ultra-ortodoksë nga shërbimi ushtarak. Lidhur me këtë, ai tha se "regjistrimi në ushtri është mënyra e vetme për t’u siguruar që vdekja e ushtarëve në luftë të mos ishte e kotë".

Sipas shifrave të ushtrisë izraelite, 586 oficerë dhe ushtarë të saj janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor, përfshirë 246 të vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore më 27 tetor.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë të tmerrshme ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, kur Tel Avivi beson se u vranë afër 1.200 njerëz. Në sulmet izraelite që vijuan që atëherë në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 30.700 palestinezë dhe mbi 72 mijë të tjerë janë plagosur.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA