Shfaqen detajet e negociatave për një armëpushim të përhershëm në Gaza /       Foto: AA

Sipas informacioneve të marra nga burime të sigurisë, teksti i përgatitur në negociatat për armëpushim të përhershëm dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit ka arritur në fazën përfundimtare dhe dihen disa detaje të negociatave.

Sipas tekstit, i cili ende nuk është finalizuar, negociatat mes palëve bazohen në lirimin e 12 të burgosurve palestinezë për çdo peng të mbajtur nga Hamasi.

Fokusi i bisedimeve është se si dhe mbi çfarë baze Izraeli do t'i lirojë të burgosurit palestinezë në burgjet e veta. Izraeli, i cili ka pranuar të lirojë të dënuarit me më pak se 30 vjet burg, dëshiron që lirimi i atyre që janë dënuar me më shumë se kjo periudhë të jetë diskrecional.

Rreth 50 persona janë duke vuajtur dënime mbi 30 vjet në burgjet izraelite, duke përfshirë Marwan Barghouti, një nga udhëheqësit simbolikë të lëvizjes palestineze Fatah. Izraeli pretendon të drejtën e vetos mbi këta emra.

Vlerësohet se Hamasi mban rreth 120 pengje izraelite. Grupe të tjera që luftojnë kundër Izraelit në Gaza thuhet se mbajnë gjithashtu pengje.

Thuhet se Hamasi ka treguar një qëndrim konstruktiv në procesin e negociatave, i cili është intensifikuar në 2,5 muajt e fundit dhe se procesi po ecën pozitivisht.

Burimet e sigurisë theksojnë se kontributi i Türkiyes në procesin e negociatave është i rëndësishëm për të arritur në këtë fazë dhe thonë se qëndrimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po e ngadalëson procesin.

Një tjetër çështje e rëndësishme që lidhet me negociatat është situata e Jahja Sinwarit, i cili zëvendësoi kreun e zyrës politike të Hamasit, Ismail Hanijeh, i cili u vra në Iran.

Vlerësohet se prania e Sinwarit në Gaza mund të zgjasë kohën e miratimit apo përgjigjes për çështjet që janë sjellë në tryezën e bisedimeve.

Bisedimet pritet të përfundojnë në ditët në vijim si rezultat i përpjekjeve të ShBA-së, Katarit dhe Egjiptit, me mbështetjen e Türkiyes, për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza.

AA