Izraeli ka nisur sulme ajrore në Gazën e rrethuar, një ditë pasi forcat izraelite vranë 10 palestinezë në kampin e refugjatëve në Jenin në Bregun Perëndimor të okupuar.
Izraeli thotë se ka kryer dy raunde sulmesh duke targetuar Hamasin, e cila udhëheq enklavën, pasi sipas raportimeve një raketë u lëshua drejt Izraelit jugor.
Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për raketën.
Dëshmitarët dhe mediat lokale raportuan se dronët izraelitë lëshuan dy raketa ndaj caqeve në Gaza para sulmit të avionëve luftarakë, duke shkaktuar katër shpërthime të mëdha.
Dita më e përgjakshme në Bregun Perëndimor të okupuar ndër vite shpërtheu gjatë një bastisjeje të enjten në kampin e refugjatëve të mbushur me njerëz në qytetin verior të Jeninit, ku të shtënat me armë zjarri shpërthyen nëpër rrugë dhe tymi dilte nga barrikadat e djegura.
Që nga fillimi i regjistrimeve të saj në 2005, Kombet e Bashkuara nuk kanë regjistruar kurrë një numër kaq të lartë të vdekjeve në një operacion të vetëm në territorin e pushtuar.
Shqetësime për eskalim të dhunës
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se druan nga përkeqësimi i situatës së sigurisë pas vrasjeve në Jenin.
Blinken do të udhëtojë në Lindjen e Mesme të dielën për të diskutuar situatën, ndërsa ka planifikuar vizita në Egjipt, Izrael dhe Bregun Perëndimor të okupuar.
Të enjten, ShBA-ja tha se po kërkon informacione nga Izraeli pas vrasjes së civilëve në Jenin, tha zyrtarja kryesore e Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme, Barbara Leaf.
Në një bisedë me gazetarë për vizitën e Blinkenit në Lindjen e Mesme, Leaf tha se zyrtarët amerikanë po kërkojnë të kuptojnë incidentin dhe të deeskalojnë situatën, duke e përshkruar humbjen e jetës së civilëve “për keqardhje”.
Ushtria izraelite gjithashtu qëlloi për vdekje një 22-vjeçar palestinez më vonë gjatë asaj dite.
Mijëra qytetarë morën pjesë në varrim, pasi presidenca palestineze shpalli 3 ditë zie.
Ata kritikuan se bastisja e së enjtes ndodhi “nën heshtjen ndërkombëtare”.
Blinken nuk do të takojë politikanët kontroversë izraelitë
Ministri i ri izraelit i Sigurisë Kombëtare, politikani i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, i cili kërkon imunitet për ushtarët izraelitë të cilët qëllojnë palestinezë, publikoi një video triumfaliste duke përgëzuar trupat që morën pjesë në bastisjen në Bregun Perëndimor.
Administrata e Bidenit ka shqetësime serioze ndaj përbërjes së qeverisë të Netanyahut, e cila përfshin disa politikanë të ekstremit të djathtë, e që kundërshtojnë disa politika fundamentale të ShBA-së për Lindjen e Mesme, përfshirë zgjidhjen me dy shtete të konfliktit shumëvjeçar Izrael-Palestinë.
Blinken nuk planifikon takim me anëtarët më kontrovers të kabinetit qeveritar, sipas zyrtarëve amerikanë.