Shqipëria në krye të KS-OKB-së, çfarë e pret në mandatin njëmujor? / FOTO: KS-OKB

Ka filluar sot presidenca e Shqipërisë me Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila do të zgjasë përgjatë muajit shtator. Shqipëria, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, mban për herë të dytë presidencën e KS-OKB-së, pasi kishte mbajtur këtë rol edhe në qershor të vitit të kaluar.

Presidenca e Shqipërisë vjen në një kohë lufte në Evropë, trazira të shumta në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, por edhe emergjenca humanitare në vende të ndryshme të botës.

Bota e trazuar, plot punë për KS-OKB-në

Karta e OKB-së i jep Këshillit të Sigurimit përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Këshilli mund të mblidhet në çdo kohë, sa herë që kërcënohet paqja. Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së janë të detyruara sipas Kartës së OKB-së të zbatojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria, në presidencën e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, do të përballet me përgjegjësi të madhe me një botë shumë të trazuar aktualisht.

Në Evropë vazhdon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, duke cenuar jo vetëm stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës, por me pasoja që përkthehen në pasiguri dhe krizë ushqimi. Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave, ndërsa aktualisht është pezulluar Marrëveshja e Drithërave e Detit të Zi.

Paralelisht, shumë kriza të tjera vazhdojnë të jenë aktuale ose të thellohen nëpër botë. Kriza në rajonin e Sahelit në Afrikë dhe Lindja e Mesme në përgjithësi do të vazhdojnë të jenë tema të nxehta në Këshillin e Sigurimit.

Dy prioritete

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, njoftoi dje se Tirana zyrtare ka vendosur dy prioritete për presidencën e tyre në KS-OKB.

Një prej prioriteteve është nisma inovative, siç e quajti Xhaçka, për ndryshimin e mekanizmave të shpërndarjes së ndihmës në kohë krizash nëpër botë.

Shqipëria ka punuar në krijimin e një platforme të re për rrjetëzimin e bizneseve dhe kompanive të mëdha të cilat duan të ndihmojnë në rajone krizash. Kjo platformë, e cila do të vihet në vëmendjen e KS-OKB-së, gjithashtu mundëson shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë, në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.

Prioriteti tjetër i presidencës së Shqipërisë është lufta Rusi-Ukrainë dhe pasojat e saj politike, të sigurisë dhe humanitare në botë. Kryediplomatja e Shqipërisë njoftoi se presidenca shqiptare do të organizojë debat të hapur të nivelit të lartë, ku do të trajtohen pasojat për paqen dhe sigurinë në botë të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet e përbashkëta për të respektuar ligjin ndërkombëtar.

AA