Shteti afrikan, numër një në botë për përfaqësimin e grave në parlament / Foto: TRT Balkan

Edhe pse femrat përbëjnë përafërsisht gjysmën e popullsisë së botës, përfaqësimi i tyre në politikë është tejet i ulët. Në nivel botëror, femrat zënë vetëm pak më shumë se çerekun e karrigeve në parlamentet kombëtare.

Një shtet afrikan veçohet nga vendet e tjera në këtë aspekt: Ruanda. Gratë përbëjnë gati 2/3 e deputetëve, më saktë 61.3%, në këtë shtet të Afrikës qendrore.

Në përbërjen e fundit, në parlamentin e Ruandës 49 nga 80 deputetë ishin gra.

Por, si ndodhi që gratë të marrin në dorë politikën në këtë shtet të Afrikës? Historia e përgjakshme e Ruandës i përgjigjet kësaj pyetje.

Lufta civile “i mori” burrat e Ruandës

Ruanda u përfshi në luftë civile në fillim të viteve të 90-ta, kur Fronti Patriotik i Ruandës, një grup rebel i përbërë kryesisht nga refugjatë Tutsi, pushtoi Ruandën veriore nga baza e tyre në Ugandë, duke nisur Luftën Civile të Ruandës në vitin 1990.

Përkundër përpjekjeve për paqe, vrasja e presidentit nga etnia Hutu, Juvénal Habyarimana, u bë katalizator i dhunës dhe krijoi vakuum pushteti. Kështu, nga prilli deri në korrik të vitit 1994 filloi Gjenocidi i Ruandës. Në një periudhë prej 100 ditësh, milicitë e grupit etnik Hutu vranë rreth 500.000 deri 662.000 njerëz nga grupet grupi etnik Tutsi.

Shumica e viktimave ishin burra, ndërsa shumë prej burrave gjithashtu u shpërngulën dhe u burgosën. Kështu, në vitet në vazhdim gratë e Ruandës, që përbënin rreth 80% të popullsisë, morën përgjegjësinë ta drejtojnë politikën.

Rezultat i këtij angazhimi ishte përmirësimi i pozitës së femrës në Ruanda. Në vitin 1999, gratë morën të drejtën e trashëgimisë, shkollimi i femrave u bë prioritet dhe u inkurajuan femrat të ndjekin drejtime studimore tradicionalisht “mashkullore”.

Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në parlamentet e Evropës dhe të botës

Përveç Ruandës, vetëm edhe në 4 shtete të tjera gratë përbëjnë shumicën ose gjysmën e delegatëve në parlamentet kombëtare. Në Kubë, 53.4% të deputetëve janë gra, ndërsa në Nikaragua 51.7%.

Në Meksikë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, gratë dhe burrat janë të përfaqësuar njëjtë, me nga 50% në parlamentet kombëtare.

Në 27 shtetet e Bashkimit Evropian, gratë përbëjnë 32.7% të deputetëve, ndërsa mesatarja në botë është 26.4%.

Në skajin tjetër të ekstremit, 3 shtete të botës nuk kanë asnjë grua deputete. Ato janë dy shtetet e Oqeanisë, Papua Guinea e Re dhe Vanuatu, si dhe Jemeni në Azinë Perëndimore.

TRT Balkan