Sirianët në Türkiye fillojnë të kthehen në shtëpi pas rënies së Asadit        / Foto: AA

Sirianët që kërkuan strehim në Türkiye gjatë luftës civile në vendin e tyre kanë filluar të kthehen në Siri pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath.

Në Portën Kufitare Cilvegozu në Hatay, provincën juglindore të Türkiyes, sirianët u rreshtuan në portën kufitare në Reyhanli të hënën në mëngjes, duke pritur për procedurat doganore.

Për ta parandaluar mbipopullimin, ekipet e xhandarmërisë ngritën një pikë të veçantë kontrolli rreth 5 kilometra nga kufiri.

Pas kontrolleve në këtë pikë, sirianët që konsideroheshin të përshtatshëm për kalim u drejtuan në Portën Kufitare Cilvegozu.

Adem Muhammed Zin, një shtetas sirian, tha se ishte duke shkuar për në Damask, vendlindja e tij.

Ai shprehu gëzimin e tij për çlirimin e vendit të tij pas shumë vitesh: "Faleminderit Zotit, rruga jonë u hap, Asadi iku dhe lufta mbaroi. Unë kam 10 vjet në Stamboll. Zoti i bekoftë turqit, ata na ndihmuan shumë”.

Ali Hasiko, i cili prej 12 vitesh pret të kthehet në qytetin e tij Hama, falënderoi gjithashtu Türkiyen: "Falënderoj Türkiyen që na hapi dyert".

Ibrahim Al Muta, i cili priste me familjen e tij gjashtëanëtarëshe për të shkuar në Hama, tha se ata kishin qenë në Türkiye për gati 11 vjet. "Falë Zotit, lufta ka mbaruar. Türkiye është e mrekullueshme, por atdheu ynë është Siria," tha ai.

Hana Hasiko, e cila ishte me fëmijët dhe nipërit e saj, tha se Türkiye dhe Siria janë si vëllezër e motra: "Ne ju falënderojmë për gjithçka; tani po shkojmë në shtëpi."

TRT Balkan / agjencitë