Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se vendet e Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njohin shtetin e Palestinës duhet të ndalojnë dërgesat e armëve në Izrael në mënyrë që të ndjekin politikë "të qëndrueshme".
Pas Samitit të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Sanchez deklaroi se në takim ka bërë thirrje për "qëndrueshmëri në Lindjen e Mesme dhe respektim të ligjit ndërkombëtar". Ai tha se vendet që nuk e njohin Palestinën si shtet duhet që në emër të qëndrueshmërisë të ndalojnë dërgesat e armëve në Izrael.
Sanchez theksoi se vendi i tij nuk ka eksportuar armë në Izrael që nga 7 tetori 2023 dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të BE-së që të bëjnë të njëjtën gjë "për të bindur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të heqë dorë nga dhuna që po përhap në rajon".
Kryeministri spanjoll tha se "është e rëndësishme që Netanyahut t'i tregohet se Evropa është e bashkuar në zgjidhjen me dy shtete". Sanchez edhe një herë potencoi kërkesën e vendit të tij dhe Irlandës për një "rishikim" të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
- "Ne nuk do të tolerojmë të vihen në dyshim punimet e OKB-së"
Sanchez bëri të ditur se tërheqja e Forcave të Përkohshme të Paqes së OKB-së në Liban (UNIFIL) nga pozicionet e saj "nuk do të jetë objekt diskutimi". Ai tha se dënon deklaratat e Netanyahut për këtë çështje.
"Ne nuk do të tolerojmë të vihen në dyshim punimet e OKB-së për të ruajtur paqen dhe për të siguruar stabilitetin në këtë rajon", nënvizoi mes tjerash Sanchez.