Spanja ka vendosur t'i bashkohet padisë për gjenocid të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), tha të enjten ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manual Albares.
"Ne e morëm këtë vendim në dritën e vazhdimit të operacionit ushtarak në Gaza", tha Jose Manual Albares në një konferencë shtypi.
Ai shtoi se me shqetësim të madh po e shikojnë zgjerimin rajonal të konfliktit.
“Spanja e mori këtë vendim jo vetëm për të lejuar kthimin e paqes në Gaza dhe Lindjen e Mesme, por edhe për shkak të angazhimit të saj ndaj ligjit ndërkombëtar”, tha Albares.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, më shumë se 36.600 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 83.000 janë plagosur.
Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të pezullojë menjëherë operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.