Spanja kundërshton retorikën e Izraelit për aneksim të Bregut Perëndimor.      Foto: AA

Qeveria e Spanjës deklaroi se "kundërshton kategorikisht" deklaratat e qeverisë izraelite për aneksim të Bregut Perëndimor.

Në një njoftim nga Ministria e Jashtme e Spanjës thuhet se me një gjuhë të qartë nuk pranohen deklaratat e bëra nga ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich se viti 2025 do të jetë "viti i aneksimit të Bregut Perëndimor".

Duke iu referuar "vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pushtimi i tokave palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur", në deklaratë thuhet se vendbanimet në fjalë janë "plotësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vështirësojnë zgjidhjen me dy shtete dhe përbëjnë pengesë për paqen".

Qeveria spanjolle thekson se deklaratat e ministrit izraelit Smotrich janë "provokuese dhe pengojnë uljen e tensioneve rajonale në nivel të nevojshëm".

Në mbledhjen e grupit të Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë që ai drejton, më 11 nëntor Smotrich pretendoi se është koha që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se viti 2025 do të ishte "viti i aneksimit" të Bregut Perëndimor.

Ai mbron idenë e tij se rizgjedhja e Donald Trumpit si president i SHBA është "mundësi" për Izraelin për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për të penguar krijimin e shtetit palestinez.

Në fjalimin që mbajti në një konferencë në Kuds më 27 tetor, Smotrich bëri thirrje për "aneksimin në mënyrë efektive" të Gazës dhe Bregut Perëndimor dhe kërkoi që palestinezët të dëbohen nga rajoni duke ngritur vendbanime të reja në zonat e brendshme të Bregut Perëndimor.

TRT Balkan / agjencitë