Spanja do të njohë zyrtarisht shtetësinë palestineze më 28 maj, njoftoi të mërkurën në parlamentin spanjoll kryeministri Pedro Sanchez.
Njoftimi erdhi në të njëjtën kohë kur liderët irlandezë dhe norvegjezë njoftuan se do të bëjnë të njëjtën gjë në të njëjtën datë.
Në fjalimin e tij, Sanchez tha se ai ka biseduar me liderët dhe ka studiuar situatën në Palestinë dhe e kupton qartë një gjë: Kryeministri izraelit Benjamin "Netanyahu nuk ka një projekt paqeje për Palestinën".
Sanchez tha se lideri izraelit po refuzon të dëgjojë komunitetin ndërkombëtar, ndërsa ai vazhdon të bombardojë infrastrukturën civile dhe të bllokojë ndihmën dëshpërimisht të nevojshme.
“Luftimi i Hamasit është i nevojshëm pas 7 tetorit", tha Sanchez. “Por, Netanyahu po gjeneron aq shumë dhimbje dhe pakënaqësi në Gaza sa që zgjidhja me dy shtete është në rrezik serioz”.
Sanchez shtoi se Spanja nuk do të lejojë ofensivën izraelite në Gaza të "shkatërrojë të vetmen zgjidhje të drejtë".
Në të njëjtën kohë, ai shtoi se njohja e Palestinës “nuk është fundi, është vetëm fillimi” dhe se Spanja do të vazhdojë të bëjë presion ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë veprime.
Ai gjithashtu njoftoi se Spanja do të pranojë rreth 30 fëmijë nga Gaza që vuajnë nga kanceri ose sëmundje të tjera të rënda shëndetësore.