Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, u zotua se do të vazhdojë mbështetjen për Forcat e Armatosura të Libanit.
Në një takim me homologun e tij libanez Abdallah Bou Habib në Barcelonë përpara Forumit Rajonal të Bashkimit për Mesdheun, Ministri Albares bëri të ditur në platformën X se shteti spanjoll do t’i ofrojë Libanit mbështetje të vazhdueshme.
"Unë i përcolla angazhimin e Spanjës ndaj vendit të tij. Ne do të qëndrojmë në kuadër të Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban, kemi kontribuar me 5,5 milionë euro në ndihmë humanitare dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Forcat e Armatosura të Libanit", tha Albares.
Më vonë, duke iu drejtuar Unionit për Mesdheun, i cili mbledh së bashku përfaqësues nga 43 shtete, Albares bëri thirrje për zhvillimin e një dialogu evropiano-arabo-islam për të sjellë stabilitet në rajon.
Ai theksoi se një konsensus për një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën nuk është i mjaftueshëm.
"Ne duhet ta zbatojmë atë nga teoria në praktikë", tha ai, duke shtuar se kushtet e jetesës në Gaza aktualisht janë "të padurueshme".
Ai kritikoi gjithashtu "kolapsin e sistemit ndërkombëtar", duke iu referuar luftërave të vazhdueshme në rajon.
"Kombet e Bashkuara janë vënë në pikëpyetje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shpallet person 'i padëshirueshëm' (nga Izraeli), organet e policisë sulmohen në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe agjencitë e OKB-së quhen organizata terroriste", tha ai, duke shtuar:
"Nëse ne vazhdojmë ta lejojmë këtë, e drejta ndërkombëtare humanitare do të reduktohet në deklarata të thjeshta".