Të paktën 89 persona janë regjistruar si të zhdukur nga përmbytjet në lindje të Spanjës, njoftuan të martën autoritetet rajonale të drejtësisë në Valencia.
Ky numër përfshin vetëm raportet e familjeve që kanë dhënë informacione dhe mostra biologjike për identifikimin e të afërmve të tyre, thuhet në njoftim.
Të paktën 217 persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet vazhdojnë të japin përparësi misioneve të kërkimit dhe shpëtimit.
Rreth 15.000 ushtarë dhe personel policie ndodhen në terren dhe po punojnë për të gjetur të zhdukurit, për ta ruajtur sigurinë dhe për ta rikthyer higjienën dhe shërbimet bazë në zonat e prekura.
“Ka ende njerëz të zhdukur që duhet t’i gjejmë, shtëpi dhe biznese të shkatërruara, të mbuluara nën baltë", tha kryeministri Pedro Sanchez.
Sanchez njoftoi transferta direkte të fondeve për familjet dhe bizneset e prekura, miliarda euro kredi shtetërore dhe lehtësira të mëdha fiskale.
Ai tha se pritet që pagesat e sigurimeve të arrijnë një rekord prej 3,5 miliardë eurosh.
“Spanja gjithmonë i ka ofruar ndihmë Bashkimit Evropian kur ka qenë e nevojshme, por tani Spanja po kërkon ndihmë,” tha Sanchez, duke njoftuar se vendi i tij ka kërkuar ndihmë nga Fondi i Solidaritetit i BE-së.