Në Liban, ku bombardimet intensive të Izraelit kanë lënë jashtë funksionimit tetë spitale, të sëmurët dhe të plagosurit kanë filluar të marrin trajtim në Spitalin Turk të sapo zgjeruar në qytetin jugor të Sidonit.
Ndërtuar me ndihmë nga Türkiye pas luftës Izrael-Liban të vitit 2006, ky institucion u projektua për trajtimin e djegieve dhe lëndimeve të tjera nga aksidentet. Edhe pse përfundoi në vitin 2010, puna ka vazhduar për ta pajisur plotësisht për funksionim.
Ministri libanez i Shëndetësisë Firass Abiad i tha agjencisë Anadolu se hapja e pjesshme e Spitalit Turk erdhi në një kohë kritike, pasi sulmet izraelite kanë ndërprerë kujdesin shëndetësor dhe kanë synuar punonjësit mjekësorë në të gjithë Libanin.
“Në këto kushte të vështira, ku sulmet izraelite po synojnë sektorin e shëndetësisë dhe personelin e tij në zona të ndryshme, hapja e një pjese të Spitalit Turk ka një rëndësi të madhe”, tha Abiad.
Ministri theksoi se vendimi për të hapur një institucion të ri mjekësor kur të tjerët ishin mbyllur ishte një hap i domosdoshëm për të siguruar qasjen në kujdesin shëndetësor për popullin libanez. “Kur armiku çaktivizon një spital, është detyra jonë të rihapim një tjetër”, tha ai.
Abiad përjashtoi mundësinë e rihapjes së spitaleve që janë mbyllur në "zona të pasigurta," si në qytetet jugore Mais al-Jabal, Bint Jbeil dhe Marjayoun afër kufirit jugor, pasi ato goditen shpesh nga sulmet izraelite.
“Mënyra më e shpejtë për të rihapur këto spitale është një armëpushim i përhershëm, të cilin Libani dhe shumë vende të tjera po e kërkojnë”, shtoi ai.
‘Një dhuratë nga Ankara për Libanin’
Abdul Rahman Bizri, deputet dhe anëtar i Komitetit të Shëndetësisë së Parlamentit, tha se hapja e Spitalit Turk është vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet qeverisë komunale të Sidonit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Spitali Turk, i cili synonte të ofronte shërbime të reja si përgjigje ndaj dëmeve të shkaktuara nga sulmet e Izraelit më 2006, është një dhuratë nga Ankara për Libanin”, tha Bizri.
Pas shpërthimit masiv në portin e Bejrutit në vitin 2020, ku humbën jetën mbi 200 persona, Türkiye ra dakord ta vë në funskion spitalin, duke ofruar fillimisht kujdes për pacientët me kancer dhe për shëndetin e përgjithshëm.
Me mbështetje të fundit nga ministria e Shëndetësisë e Libanit, Bizri tha se spitali së shpejti do të jetë në gjendje të kryejë operacione dhe trajtime për djegiet me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Duke shprehur mirënjohjen ndaj Ankarasë, ai tha se qeveria turke fillimisht mbuloi mbi 20 milionë dollarë për shpenzimet e ndërtimit dhe kontribuoi me 2 milionë dollarë të tjera për mbështetje operacionale.
Më parë, Abiad kishte njoftuar se një njësi për trajtimin e djegieve do të hapet në Spitalin Turk për të ndihmuar në trajtimin e të plagosurve ndërsa Izraeli vazhdon sulmin e tij ndaj vendit.
“Ky spital do të jetë referenca e Libanit për trajtimin e djegieve," tha Abiad në një konferencë për shtyp në Bejrut.
Që nga fillimi i operacioneve tokësore të Izraelit në Liban në fillim të tetorit, rreth 900 viktima të reja janë pranuar në spitale, një rritje prej 1.5 herë krahasuar me shtatorin, shtoi ministria.
Tensionet rajonale janë rritur për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka marrë mbi 43.400 jetë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pas një sulmi nga Hamasi vitin e kaluar.
Ndërsa konflikti u përhap në Liban me Izraelin që lëshon sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, mbi 3.000 persona janë vrarë dhe afërsisht 13.500 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite që nga viti i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore të Libanit.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale për shkak të sulmeve të pandërprera të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një sulm tokësor në jug të Libanit.