Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot se aleanca nuk ka parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë që nga njoftimi i Presidentit Vladimir Putin se do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.
“Deri më tani ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në qëndrimin e tyre bërthamor, që kërkon ndonjë ndryshim në qëndrimin tonë bërthamor”, u tha Stoltenberg gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.
Më 25 mars, Rusia arriti një marrëveshje me Bjellorusinë fqinje për vendosjen e armëve taktike bërthamore në territorin e saj, tha presidenti rus Vlladimir Putin.
Një veprim i tillë nuk do të shkelë detyrimet nga marrëveshja START, tha Putin, duke shtuar se Amerika ka vendosur armë bërthamore në territorin e aleatëve evropianë.
Putin vuri në dukje se ndërtimi i një objekti magazinimi për armët taktike bërthamore në Bjellorusi do të përfundojë më 1 korrik dhe shtoi se Rusia ka ndihmuar në modernizimin e avionëve luftarakë bjellorusë në mënyrë që ata të mund të mbajnë armë bërthamore.
Ambasadori rus në Bjellorusi Boris Gryzlov tha mbrëmë se armët taktike bërthamore ruse do të vendosen pranë kufirit të Bjellorusisë me fqinjët e NATO-s.
"Do të zgjerojë aftësitë tona mbrojtëse dhe do të bëhet pavarësisht nga zhurma në Evropë dhe ShBA," shtoi Gryzlov.
Bjellorusia ndan një kufi prej 1250 kilometrash me anëtarët e NATO-s - Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë.
Armët bërthamore taktike kanë një rreze veprimi relativisht të shkurtër dhe fuqi dukshëm më të ulët në krahasim me kokat bërthamore që bartin raketat strategjike me rreze të gjatë.