Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se shqetësimet e Türkiye-s për aplikimet e vendeve nordike për anëtarësim në aleancë janë legjitime dhe duhet të adresohen.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson, përpara samitit të NATO-s në Madrid, shefi i NATO-s tha se “asnjë aleat nuk ka vuajtur më shumë nga duart e terroristëve, përfshirë sulmet e rënda nga grupi terrorist PKK”.
Stoltenberg tha se aleanca duhet të dyfishojë përpjekjet e saj në luftën kundër terrorizmit dhe njoftoi se një seancë e posaçme kushtuar përpjekjeve kundër terrorizmit të NATO-s do të mblidhet gjatë samitit në kryeqytetin spanjoll.
“Tani po punojmë së bashku për një marrëveshje midis Suedisë, Finlandës dhe aleatit tonë Türkiye-s për të adresuar më tej shqetësimet e sigurisë, përfshirë eksportet e armëve dhe luftën kundër terrorizmit”, tha Stoltenberg.
Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO, vendim që u nxit nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Por Türkiye, një anëtare e kahershme e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve për anëtarësim, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe për mbështetjen e grupeve terroriste.
Andersson, nga ana e saj, tha se “qëndrimi ynë në lidhje me PKK-në është kristal i qartë” dhe se kjo organizatë është e “listuar si një organizatë terroriste nga BE-ja dhe konsiderohet si e tillë edhe nga Suedia”.
“Suedia dënon terrorizmin në termat më të ashpër të mundshëm. Ne jemi të përkushtuar pa mëdyshje për luftën kundër terroristëve në të gjitha format dhe manifestimet e saj”, u shpreh Andersson.
“Suedia do të kontribuojë në sigurinë e NATO-s në tërësi, përfshirë për Türkiye-n, në frymën e solidaritetit”, shtoi ajo.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve.
Zyrtarët suedezë, finlandezë dhe turq sot u takuan në Bruksel, duke shprehur “shpresë të fortë se dialogu mund të përfundojë me sukses në të ardhmen e afërt”.
28 Qer 2022
Stoltenberg: Shqetësimet e Türkiye-s janë legjitime dhe duhet të adresohen
Në samitin e NATO-s në Madrid do të diskutohet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finalndës
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.