Studim: 2023 në rrugën e duhur për t'u bërë viti më i nxehtë në histori. / Photo: AA

Pasi ky qershor u shpall më i ngrohti në rekordin mbi 170-vjeçar, viti 2023 ka të ngjarë të vendosë një mesatare të re të lartë të temperaturës vjetore, sipas një studimi të ri të publikuar nga Berkelez Earth.

"Globalisht, qershori 2023 ishte qershori më i ngrohtë që kur filluan rekordet instrumentale të matura drejtpërdrejt në 1850, duke thyer rekordin e vendosur më parë në qershor 2022", thotë studimi i publikuar nga Berkeley Earth, një organizatë jofitimprurëse e pavarur me qendër në Kaliforni.

Duke vënë në dukje se temperatura mesatare globale këtë qershor ishte 1,47 C (2,64 F) mbi mesataren e viteve 1850-1900, ai tha se viti 2023 ka gjasa të bëhet një vit i ri rekord i ngrohtë (81% mundësi).

Oqeanet panë gjithashtu një rritje rekord të temperaturës prej 1,12 C në qershor, thuhet në studim.

Nxehtësia rekord e muajit të kaluar u pasua nga 10 ditët më të ngrohta në histori, ku java e parë e korrikut ishte "java më e nxehtë e regjistruar" pasi temperaturat mesatare globale thyen rekorde çdo ditë pas 3 korrikut, sipas të dhënave paraprake nga Organizata Botërore Meteorologjike.

Rritja e temperaturave vjen pasi efekti El Nino, i deklaruar zyrtarisht se ka filluar në fillim të qershorit, vazhdon të forcohet, duke shkaktuar ngjarje të motit si shira të dendur, përmbytje, thatësira dhe zjarre pyjore.

Temperaturat globale për herë të fundit arritën kulmin në vitin 2016, një vit i fortë El Nino.

Çfarë është El Nino?

El Nino është pjesë e një modeli klimatik natyror të quajtur El Nino/Lëkundje Jugore.

Shtatë vjet më parë, një ngjarje veçanërisht intensive e El Nino u zhvillua në Paqësor, duke shkaktuar një sërë ndryshimesh të rrezikshme në modelet globale të motit.

Si rezultat, Indonezia vuajti nga thatësira e madhe, duke përkeqësuar zjarret shkatërruese, ndërsa shirat e dendur përmbytën pjesë të Bririt të Afrikës, duke përmbytur fshatra dhe zona bujqësore.

Me një rikthim të El Ninos këtë vit, ekspertët sugjerojnë se do të jetë një tjetër vit i fortë, duke ngritur shqetësime për motin ekstrem në muajt e ardhshëm.

TRT Balkan / agjencitë