Studim: Rritet numri i policëve të Londrës që kanë shqetësime financiare.     /Foto: Reuters

Hulumtim: Rritet numri i policëve të Londrës që ballafaqohen me mungesë ushqimi

Rreth 27 për qind e policëve në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, anashkalojnë vaktet ndërsa 8 për qind vizitojnë bankat e ushqimit për shkak të rritjes së kostos së jetesës, thuhet në një studim të ri të publikuar të enjten nga “Metfriendly”, shërbimi financiar për Policinë Metropolitane. Mbështetur në të dhënat e këtij studimi shumica e oficerëve janë në gjendje më të vështirë se sa ishin gjashtë muaj më parë.

Përqindja e të anketuarve që kanë shqetësime financiare u rrit nga 74 për qind në gusht 2022 në 86 për qind, sipas një ankete me rreth 3.200 oficerë policie dhe personel. Përqindja e të anketuarve që humbën vaktet gjatë vitit të fundit për shkak të mungesës së parave është rritur nga 22 në 27 për qind ndërsa përqindja e atyre që vizitojnë bankat ushqimore është rritur nga 6 në 8 për qind.

Rreth 75 për qind e policëve të anketuar besojnë se gjendja e tyre financiare do të përkeqësohet ose do të përkeqësohet shumë në 12 muajt e ardhshëm.

"Sa u përket aktiviteteve që të anketuarit bëjnë për të përballuar jetesën: 60 për qind e të anketuarve punojnë më shumë jashtë orarit për të përballuar jetesën, 26 për qind punojnë një punë tjetër, 40 për qind shesin prona, ndërsa 37 për qind mendojnë të ndryshojnë vendin e punës dhe të largohen nga policia", tregojnë rezultatet e hulumtimit.

Raporti më tej thotë se oficerët dhe stafi vijnë në punë të uritur, të stresuar dhe të shqetësuar për gjendjen financiare të familjes së tyre në të ardhmen.

Ushqimi nganjëherë bëhet luks

"Tani unë jam në një pozicion ku unë duhet të punoj jashtë orarit që të mund të përballoj ndonjë 'shtesë'. Nuk kam hapësirë dhe mundësi për të kursyer. Nuk duhet të jetoj për të punuar dhe konsideroj se policia është shënjestruar me të padrejtë për mungesë të rritjes së pagave", u citua të thoshte një i anketuar në studim.

"Rritja e përgjithshme e faturave të gazit, energjisë elektrike dhe të tjera ka bërë shumë presion mbi financat tona. Unë duhet të zgjedh nëse do të blej ushqim apo do të paguaj faturat. Kam zgjedhur që të paguaj të gjitha faturat. Ushqimi nganjëherë po bëhet luks", tha një oficer tjetër i anketuar.

Një tjetër oficer tha: "Pasi të paguaj taksat, kontributet e pensionit, qiranë dhe faturat, mbeten rreth 300 funta (378 dollarë) në muaj për të jetuar. Më këto duhet të mbulojë të gjithë ushqimin tim, udhëtimet, shoqërimin dhe thjesht nuk është një shumë komode, veçanërisht duke marrë parasysh punën që bëj".

"Unë nuk jam në gjendje të paguaj tarifat e çerdhes në mënyrë të plotë për fëmijët nën 3-vjeç dhe në disa raste kam shmangur ushqimin pasi i kam dhënë përparësi të ushqej fëmijët e mi. Sepse unë do të preferoja që fëmijët e mi të hanin dhe të ushqehen mirë", tha një nga të anketuarit.

Komisari i policisë, Mark Rowley, tha se nuk mund të ishte e drejtë që oficerët e policisë, njerëzit të cilëve shoqëria u drejtohet kur më së shumti kanë nevojë për ta, t'u drejtohen bankave të ushqimit, duke hyrë në borxhe dhe duke zgjedhur të mos hanë për të paguar faturat e tyre.


TRT Balkan / agjencitë