Pavarësisht se shumë prej tyre janë ndër shkollat me performancën më të mirë në vend, qeveria suedeze vazhdon të mbyllë institucionet akademike islame në një përpjekje për të nxitur “retorikën antiislamike” dhe “të ndalojë privatizimin” në arsim.
Në fillim të këtij viti, ministrja e atëhershme e Arsimit e vendit nordik Lena Axelsson Kjellblum tha në një konferencë shtypi se qeveria e saj kishte paraqitur një projektligj që synonte “të ndalonte krijimin e të ashtuquajturave shkolla të pavarura fetare”.
Projektligji në thelb parandalon zgjerimin e shkollave duke rritur numrin e nxënësve ose duke hapur degë të reja nga viti 2024 e në vazhdim.
Vetëm shkollat islame janë shënjestruar nga legjislacioni deri më tani, duke shkaktuar një protestë nga organizatat, studiuesit dhe shkollat myslimane, me argumentin se vendimi për mbylljen e shkollave islame nuk bazohej në rezultate të dobëta akademike ose mangësi të tjera në mësimdhënie, por përkundrazi kishte motive politike, antiislame.
Mohamed Amin Kharraki, kreu i shkollës së pavarur myslimane Framstegsskolan në periferi të Ragsved të Stokholmit, tha për Agjencinë Anadolu se rreth 20 shkolla që e klasifikojnë veten si islame ose ato që janë në pronësi të myslimanëve janë duke u mbyllur dhe tri të vetmet e mbetura po përballen me padi kundër tyre.
Majin e kaluar, inspektorati shkollor i vendit njoftoi se po mbyllte shkollën Framstegsskolan. Megjithatë, shkolla fitoi një apel dhe gjykata administrative tha se vendimi nuk duhet të zbatohet më, deri në pritje të një vendimi.
Vendimet e marra për ‘pretendime konspirative’
Vendimi i inspektoratit për mbylljen e shkollës u bazua në një raport nga shërbimi i brendshëm suedez i sigurisë SAPO me “pretendime konspirative” për grupin e Vëllazërisë Myslimane, agjenda sekrete dhe etiketa të dyshuara terroriste që kanë lënë disa studiues të hutuar.
“Nëse nuk do të kisha pasur sfondin kërkimor që kam, që të studioja dhe të hulumtoja Vëllazërinë Myslimane, do të kisha frikë edhe nga errësira. Do të kisha frikë nga të gjithë liderët myslimanë në Suedi", shkruan mediumi lokal Syre duke e cituar Emin Poljareviq, një profesor i asociuar në sociologjinë e fesë.
“Kjo tregon më tej se ne kemi një klimë sociale ku myslimanët ekzotizohen dhe bëhen të dyshimtë. Është turp që SAPO, nga të gjitha autoritetet, ka rënë në atë gropë", tha Poljareviq, i cili është ligjërues i teologjisë dhe i filozofisë islame në Universitetin Uppsala.
Edhe institucionet parashkollore islame u zunë në shesh
Kopshti parashkollor i Saimagarden në rrethin Akalla të Stokholmit, i drejtuar gjithashtu nga Framstegsskolan, do të mbyllej gushtin e kaluar për shkak të pretendimeve të SAPO-s se fëmijët ishin në rrezik të radikalizimit.
Gjykata, megjithatë, e rrëzoi masën dhe parashkollorja mbetet e hapur deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar.
Kharraki sugjeroi se SAPO-ja nuk kishte përmendur ndonjë akuzë specifike për asnjërën nga shkollat në raportin e saj dhe se në vend të kësaj u referohej vetëm burimeve “sekrete”.
Duke nënvizuar rrezikun që paraqet argumenti i Inspektoratit, ai tha se nëse një shkollë akuzohet se i vë fëmijët në rrezik radikalizimi, pa prova a incidente të kaluara, atëherë është “shumë e vështirë për ju, si palë e akuzuar, të mbroheni në fakt, sepse nuk është asgjë që ka ndodhur në të vërtetë. Është diçka që mund të ndodhë.”
Sipas Kharrakit, inspektorati i shkollës nuk e vizitoi kurrë Framstegsskolan-in për të vëzhguar radikalizimin e supozuar dhe ka refuzuar të vërë në dyshim raportin e SAPO-s.
Agjenda antimyslimane
Sead Busulaxhiq, një anëtar bordi i partisë politike Nyans dhe zyrtari më i lartë i saj në qarkun më jugor Skane, tha për Anadolu Agency se mbyllja e shkollave nuk kishte të bënte me arsimin, por me klimën politike antimyslimane.
Ai vuri në dukje se si partitë e djathta që janë aktualisht në pushtet kanë thënë shprehimisht se nuk kanë asgjë kundër shkollave të krishtera, çifute ose të tjera.
Politikanët që, sipas fjalëve të tij, po normalizojnë islamofobinë dhe po ua vështirësojnë jetën pakicave, kanë shprehur vetëm probleme me shkollat islame, që supozohet të “ndalojnë radikalizimin”. Duke vepruar kështu, ata “po ndikojnë në opinionin e përgjithshëm dhe në mënyrën se si shihen myslimanët”.
Busulaxhiq shpjegoi se fillimisht socialdemokratët e kishin drejtuar këtë çështje, sepse ata janë “kundër të gjitha shkollave private” dhe argumentojnë se shteti duhet të drejtojë të gjitha institucionet arsimore.
Megjithatë, në praktikë, vetëm shkollat islame mbajtën peshën kryesore të politikave socialdemokrate, pavarësisht nga kundërshtimi i tyre i supozuar i përgjithshëm ndaj arsimit privat.
Në zgjedhjet e kaluara, në vend që të fokusohen në çështje të tilla si ekonomia dhe papunësia e lartë, politikanët kanë ushqyer ndjenjat antimyslimane, tha ai, duke sugjeruar se mbyllja e shkollave ishte një reflektim i kësaj.
Kur projektligji u prezantua për herë të parë nga qeveria, ajo pretendoi se do të prekeshin të gjitha shkollat fetare. Mirëpo, në realitet, kjo nuk ka ndodhur pasi asnjë shkollë tjetër fetare nuk është mbyllur, përveç shkollave myslimane.