Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), organizata më e madhe myslimane e të drejtave civile në ShBA, njoftoi se diskriminimi ndaj myslimanëve në ShBA është rritur pas 7 tetorit 2023.
CAIR vlerësoi diskriminimin me të cilin u përballën myslimanët në ShBA gjatë vitit 2023 në raportin e tij të titulluar "Vdekjeprurëse: Rishfaqja e urrejtjes antimyslimane".
Sipas raportit, 8.061 myslimanë janë përballur me diskriminim në vitin 2023 dhe ky numër është rritur me 56 për qind krahasuar me vitin 2022. Rritja në fjalë është më e madhe se rritja e përjetuar pas ndalimit të udhëtimit që ish-presidenti amerikan Donald Trump zbatoi për disa vende me shumicë myslimane, thotë raporti.
Më tej, në raport thuhet se numri i personave të regjistruar si të diskriminuar është rritur me 1.341 krahasuar me vitin 2021 dhe se 44 për qind e ankesave janë bërë në tre muajt e fundit të vitit 2023.
Raporti thekson se diskriminimi ndaj myslimanëve ka shënuar rritje pas 7 tetorit, duke shtuar se në tre muajt e fundit të vitit 2023 ankesat e ndryshme si "diskriminim në vendin e punës, gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim në arsim" kanë arritur në 3.578.
Grupet studentore që mbështesnin Palestinën u mbyllën në shumë universitete dhe se shumë njerëz nuk u punësuan për shkak të qëndrimit të tyre propalestinez, thekson raporti.
Raporti vuri në dukje se kërkesat për imigrim dhe azil të individëve muslimanë "mbaheshin qëllimisht në pritje në rast se ata ishin terroristë" dhe se diskriminimi më i madh ishte bërë në këtë fushë.