Kryeministri suedez Ulf Kristersson përmes një deklarate të hënën ka bërë të ditur se ishte i hapur për lejimin e armëve bërthamore amerikane në tokën suedeze në kohë lufte, raportuan mediat lokale.
Komentet e Kristersson vijnë pikërisht në kohën kur parlamenti i vendit është planifikuar të votojë në qershor mbi projektligjin e qeverisë për një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me ShBA-në.
E ashtuquajtura marrëveshja DCA i jep ushtrisë amerikane të drejtën të përdorë 17 baza ushtarake suedeze në gjithë vendin dhe lejon ruajtjen e pajisjeve ushtarake dhe armëve në vendin skandinav.
Marrëveshja është kritikuar sepse, ndryshe nga Danimarka dhe Norvegjia, asaj i mungojnë informacionet për ndalimin e armëve bërthamore në Suedi. Qeveria është e mendimit se nuk është e nevojshme pasi ka një vendim parlamentar që nuk duhet të ketë armë bërthamore në territorin suedez në kohë paqeje.
Megjithatë, Kristersson beson gjithashtu se duhet të merret parasysh posedimi i armëve bërthamore në rast lufte në Suedi.
“Në një situatë lufte, është një çështje krejtësisht tjetër. Nëse ndodh më e keqja, vendet demokratike në pjesën tonë të botës sigurisht që duhet të jenë në gjendje të mbrohen kundër vendeve që mund të kërcënojnë me armë bërthamore, "nënvizoi ai në një intervistë për Radion Suedeze.
“I gjithë anëtarësimi ynë në NATO dhe i gjithë qëllimi ynë i mbrojtjes suedeze është të parandalojmë që kjo situatë të ndodhë. “Nëse Ukraina do të kishte qenë anëtare e NATO-s, ajo nuk do të ishte sulmuar nga Rusia”, tha Kristersson.
Suedia është anëtarësuar zyrtarisht në NATO më 7 mars, duke u dhënë fund dekadave të neutralitetit pas një pritjeje gati dyvjeçare që filloi në maj 2022, kur vendi nordik paraqiti kërkesën e tij për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore së bashku me Finlandën fqinjë.
Kryeministri theksoi se vendimi për vendosjen e armëve bërthamore në tokën suedeze do të merret nga Suedia, jo nga ShBA.
“Suedia vendos për territorin suedez,” u shpreh ai.