Sulme me dronë në Rusi, shënjestrohet rafineri nafte në Krasnodar / Foto: AA  - ilustrim

Një zjarr shpërtheu në një rafineri nafte në rajonin Krasnodar në Rusi si pasojë e një sulmi me fluturake pa pilotë. Kështu njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS, e cila thotë se rafineria e naftës në fshatin Ilskiy është sulmuar me dronë, dhe si pasojë ka shpërthyer zjarr në tanket e rafinerisë.

Guvernatori i Krasnodarit Veniamin Kondratyev tha se zjarrfikësit dhe ekipet e Ministrisë së Situatave të Emergjencave po vazhdojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit në rezervuarë.

"Sipas informacionit fillestar, nuk pati viktima nga zjarri. Njerëzit në fshat gjithashtu nuk janë në rrezik," tha Kondratyev.

Një zjarr ka rënë edhe në një magazinë nafte në rajonin Krasnodar të Rusisë ditën e djeshme dhe nuk ka të vdekur ose të lënduar.

Përveç kësaj, Kremlini njoftoi se Ukraina u përpoq të sulmonte rezidencën e presidentit rus Vladimir Putin në Pallatin e Kremlinit me dronë gjatë natës, gjë që u mohua nga Kievi.

AA