Sulme të rënda ajrore nga Izraeli në periferinë jugore të Bejrutit           / Foto: AA

Avionët luftarakë izraelitë nisën një seri sulmesh të rënda ajrore në Haret Hreik, një lagje në periferinë jugore të Bejrutit, të shtunën herët në mëngjes, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit.

Ushtria izraelite lëshoi urdhra për banorët e ndërtesave në periferinë jugore të Bejrutit duke i detyruar ata të evakuohen menjëherë në përgatitje për sulmet ajrore të synuara që do të vijonin së shpejti.

Avichay Adraee, zëdhënës i ushtrisë izraelite, përfshiu harta në një deklaratë ku ndërtesat e synuara për sulm ishin shënuar me të kuqe.

Zëdhënësi pretendoi se këto vendndodhje ishin pranë objekteve dhe interesave të lidhura me Hezbollahun.

“Duhet të evakuoni këto ndërtesa dhe ato përreth tyre menjëherë, duke mbajtur një distancë prej jo më pak se 500 metra,” shtoi ai.

Sulmi i fundit vjen pasi ushtria izraelite kreu katër valë sulmesh ajrore të premten duke synuar periferinë jugore të Bejrutit. Sulmet thuhet se goditën "qendra komanduese, depo armësh dhe infrastrukturë të përdorur për aktivitete terroriste."

Ndërkohë, sulme ajrore izraelite synuan qytetet Arabsalim, Sajd, dhe Sa'ir al-Gharbiya në Nabatieh, ndërsa ushtria izraelite granatoi zonën rreth Shamaa dhe Majdal Zoun në distriktin Tyre të Libanit jugor, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve.

Izraeli nisi një fushatë ajrore në Liban kundër asaj që pretendon se janë objektiva të grupit Hezbollah në fund të shtatorit, në një përshkallëzim pas një viti lufte ndërkufitare.

Më shumë se 3.400 persona janë vrarë, gati 14.600 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur nga sulmet izraelite që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin e jugut më 1 tetor.

TRT Balkan / agjencitë