Tajani: Türkiye, bashkëbisedues i rëndësishëm për çështjen Sirisë.         Foto: AA

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se Türkiye është një bashkëbisedues i rëndësishëm në kontrollin e situatës në Siri.

Tajani në programin e quajtur "5 minuta" në kanalin Rai 1 deklaroi se po i qaset me kujdes çështjes siriane. "Unë jam optimist për situatën në Siri. Ka njerëz që kthehen nga vende të tjera, nga Libani, nga Türkiye. Besoj se situata mund të shkojë në drejtimin e duhur, por ne duhet të jemi të kujdesshëm", tha ai.

Zv/kryeministri italian tha se ka biseduar gjatë me homologun turk Hakan Fidan, përfshirë çështjen e mbrojtjes së pakicave të krishtera në Siri.

“Türkiye është një bashkëbisedues i rëndësishëm për ta kontrolluar situatën në Siri", ka thënë Tajani.

Lidhur me liderin e Hayat Tahrir al-Sham (HTS), Ahmed al-Shara (Abu Muhammad al-Julani), Tajani tha: "Ai dëshiron të fitojë prestigj në botë. Le të shohim nëse këto qëndrime do të ndiqen apo jo nga hapa konkretë? Ne po monitorojmë situatën minutë pas minute, sepse stabiliteti i Sirisë është thelbësor për stabilitetin e Lindjes së Mesme".

“Ata që hynë dje me armët e tyre në ambasadën në Damask dhe morën 3 automjete që i përkisnin ambasadës ishin kriminelë të armatosur, megjithatë situata ishte nën kontroll. Ne vendosëm ta lëmë hapur ambasadën tonë në Damask për të ndjekur zhvillimin e situatës dhe të jemi të pranishëm si Itali në këtë rajon të Lindjes së Mesme", tha ai.

Duke folur për shtetasit italianë në Siri, Tajani tha se disa prej tyre kanë shkuar në Liban ndërsa një pjesë tjetër për arsye se familjet e tyre i kanë në Siri vendosën të qëndrojnë atje.

Ai shtoi se ministria është duke ndjekur nga afër situatën e tyre.

TRT Balkan / agjencitë