Tatar: Palët turke dhe greke nuk kanë bazë të përbashkët për Qipron / Foto: AA

Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) Ersin Tatar ka thënë se ai personalisht e ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres se nuk ka asnjë bazë të përbashkët midis palëve turke dhe greke qipriote në ishullin e Qipros.

Duke folur në një konferencë shtypi në aeroportin Ercan në kthimin e tij nga një vizitë në ShBA të dielën, Tatar tha se pala greke qipriote krijon perceptimin se "do të ketë një proces të ri negocimi mbi Qipron."

Ai tha se i dhanë fund këtij perceptimi me kontaktet e tyre në ShBA.

Ai vuri në dukje se Përfaqësuesja Personale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Maria Angela Holguin Cuellar po punon për të hetuar nëse ka një bazë të përbashkët midis palëve në ishullin mesdhetar të Qipros.

Barazia sovrane dhe statusi i barabartë ndërkombëtar i RTQV-së

Tatar theksoi gjithashtu se ai shpjegoi politikën e tij për të konfirmuar barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar të RTQV-së me të gjithë zyrtarët që takoi.

"Nëse ata mendojnë se do të na bëjnë presion dhe do të na detyrojnë në tryezën e negociatave në një kohë kur vazhdojnë embargot dhe izolimet, kjo do të ishte gabim. Ne nuk do ta pranojmë. Ne po ndjekim një politikë të re, e kjo politikë është gjithashtu mjaft e qartë dhe eksplicite”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se Guterres respekton qëndrimin e palës turke qipriote, duke theksuar se asnjë proces nuk mund të fillojë me detyrim.

Tatar vuri në dukje se ai u ka përcjellë bashkëbiseduesve se vetëm me pranimin e të drejtave të fituara të turqve qipriotë mund të arrihet përparim në negociata.

Ai theksoi se nëse do të ketë një marrëveshje tani për ishullin, ajo do të jetë përmes njohjes së Republikës Turke të Qipros Veriore.

Tatar tha se ata kurrë nuk do të bëjnë kompromis mbi të drejtat e tyre dhe nuk do të tërhiqen nga politika e "barazisë sovrane dhe statusit të barabartë ndërkombëtar" që ata mbrojnë.

Presidenti Tatar zhvilloi takime me Guterresin, zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësues të grupeve të ekspertëve dhe drejtues të organizatave joqeveritare gjatë vizitës së tij në ShBA, e cila filloi më 5 prill.

AA