Të paktën 13 palestinezë u vranë nga sulmet e reja izraelite në Gaza. / Foto: AA

Të paktën 13 palestinezë u vranë nga sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten, raportuan burime mjekësore.

Një burim mjekësor tha se tetë persona humbën jetën kur avionët izraelitë bombarduan një shtëpi në zonën Jabalia Nazla në veri të Gazës.

Një baba dhe tre djemtë e tij u vranë gjithashtu në një tjetër sulm që kishte në shënjestër një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Gazës, shtoi një burim tjetër.

Po ashtu, një tjetër palestinez vdiq nga plagët që kishte marrë nga një sulm izraelit në qytetin qendror Deir al-Balah, shtoi burimi.

Dëshmitarët raportuan gjithashtu një sulm me dron izraelit në një tendë brenda një shkolle që strehohej nga civilë të zhvendosur në Nuseirat, por nuk pati të lënduar.

Sulme të shumta ajrore izraelite u raportuan në disa zona në veri të Gazës, përfshirë lagjet Al-Saftawi dhe Karama në qytetin e Gazës, por ende nuk ka informacione për viktima.

Ushtria izraelite vazhdoi gjithashtu operacionet sistematike të shpërthimit të shtëpive dhe ndërtesave rezidenciale në Jabalia dhe Beit Hanoun në veri të Gazës, si dhe në lagjen juglindore Zeitoun të qytetit të Gazës, raportuan dëshmitarët.

Bombardime me artileri u raportuan në lindje të Khan Younis dhe në zonën perëndimore Al-Mawasi të Rafahut në jug të Gazës, por ende nuk ka raportime për të plagosur.

Ushtria izraelite ka vazhduar një luftë gjenocidale në Gaza, e cila ka vrarë pothuajse 46.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një psdi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

TRT Balkan / agjencitë