Të paktën 145 pasagjerë janë zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur pasi një varkë me motor e mbingarkuar me mallra dhe kafshë u mbyt natën në një lumë në veriperëndim të Republikës Demokratike të Kongos, njoftuan autoritetet.
Rreth 55 njerëz i mbijetuan katastrofës, thanë zyrtarët të enjten.
Varka po udhëtonte për në Republikën fqinje të Kongos kur u përmbys në lumin Lulonga vonë të martën pranë qytetit të Basankusu.
Jean-Pierre Wangela, president i grupeve të shoqërisë civile në zonë, u tha gazetarëve se të paktën 145 persona ishin të zhdukur.
Ai fajësoi mbingarkimin për shkatërrimin e varkës, por tha se vendasit kanë pak mundësi të tjera. “Në bord ishin afërsisht 200 persona”.
“Nuk ka asnjë mjet tjetër transporti aktualisht në provincën tonë dhe këtu në territorin e Basankusu,” tha ai.
Fundosjet e anijeve që shkaktojnë dhjetëra viktima janë shumë të zakonshme në pjesët e largëta të Republikës Demokratike të Kongos, ku udhëtimi me rrugë është ndonjëherë i pamundur.
Shumë mjete ujore janë të mbingarkuara me mallra dhe njerëz që nuk dinë të notojnë. Operacionet e shpëtimit janë jashtëzakonisht të kufizuara në pjesë të largëta të vendit afrikan. Në tetor, më shumë se 40 njerëz vdiqën në lumin Kongo në provincën Equateur në rrethana të ngjashme.