Sipas autoriteteve libaneze dhe raporteve të mediave, të paktën 16 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e fundit ajrore izraelite në Liban.
Ministria e Shëndetësisë tha se katër persona u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në provincën Baalbek-Hermel në Libanin lindor. Pesë persona të tjerë u vranë dhe 27 u plagosën në sulmet izraelite në qytetet Tebnine dhe Bint Jbeil në Libanin jugor.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve raportoi se avionët luftarakë izraelitë goditën edhe qytetin jugor Joun, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur disa të tjerë.
Transmetuesi libanez tha se tre persona të tjerë humbën jetën dhe nëntë u plagosën në një tjetër sulm ajror në qytetin Maaysrah të qarkut Keserwan në Libanin verilindor.
Kjo ishte hera e parë që avionët izraelit godasin qarkun Keserwan që nga shpërthimi i përleshjeve ndërkufitare me Hezbollahun më 8 tetor të vitit të kaluar. Sipas gazetarit të Agjencisë Anadolu, kjo zonë është e banuar nga shiitë.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se që nga mëngjesi i sotëm ka goditur 100 objektiva të lidhura me Hezbollahun në Liban.
Që nga mëngjesi i të hënës, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, Izraeli ka nisur një valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse në Liban, duke vrarë të paktën 570 persona dhe duke plagosur mbi 1.800 të tjerë.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, ku janë vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon.