Zv.ministri turk i Shëndetësisë, Şuayip Birinci, vlerëson se madhësia e tregut global të inteligjencës artificiale (IA) në kujdesin shëndetësor do të kalojë 200 miliardë dollarë deri në vitin 2030, me një normë rritjeje prej 40 për qind në vit.
Në një dekëaratë për Anadolu, Birinci tha se Türkiye është një nga vendet që do të ketë çfarë të ofrojë në tregun e IA-së në kujdesin shëndetësor.
Ai tha se Türkiye ka mbledhur të dhëna shëndetësore prej vitesh tani, ndërsa "shumë vende të tjera sapo kanë filluar ta bëjnë këtë", duke vënë në dukje aftësinë e vendit në shëndetësinë digjitale.
Birinci theksoi se Türkiye ka një avantazh të madh në zhvillimin e zgjidhjeve me ndihmën e inteligjencës artificiale që funksionojnë në mënyrë autonome në aplikimet parandaluese.
"Ne kemi nevojë për të dhëna të vlefshme për ta realizuar këtë, por Türkiye është në një pozitë për të zhvilluar aplikacione të IA-së që mund të dinë se si një mjek do t'i qaset një sëmundjeje", tha ai, duke shtuar:
"Tashmë jemi përpara shumë vendeve në Evropë, dhe sa i përket integrimit të qytetarëve në ekosistemin digjital të kujdesit shëndetësor, këto vende që konsiderohen se janë 'mbi ne' kanë po aq popullsi sa numri i pacientëve që shërbehen në një nga spitalet tona në gjashtë muaj".
Birinci tha se përparimet e Türkiyes në këtë fushë e shtynë vendin përpara shumë për shkak të të dhënave ekzistuese shëndetësore të digjitalizuara që vendi mbledh nga qytetarët.
"A kemi ende mangësi? Po, ne mësojmë derisa jetojmë. Por, ne nuk kemi hasur në një aksident digjital deri më tani dhe këtë e shikon me zili e gjithë bota", tha ai, duke shtuar:
"Aplikimet që kemi bërë janë shpallur 'praktika më e mirë' në botë dhe ne dëshirojmë ta ruajmë këtë status dhe të renditemi të parët në botë".
Birinci gjithashtu tha se në këtë drejtim nuk guxon të shkelen parimet etike.
"Mbështetja e shumë njerëzve në sektor dhe institucioni politik si dhe zgjerimi i aplikacioneve të e-Qeverisjes, e bëjnë punën tonë shumë të lehtë. Është një përpjekje ekipore për t'i përdorur këto sisteme digjitale dhe për t'i menaxhuar ato, të cilat ne i kemi menaxhuar me sukses dhe shpresoj të vazhdojmë ta bëjmë këtë", shtoi ai.