Tri ministre të Belgjikës shprehën solidaritetin e tyre me gratë në Gaza dhe ndanë mesazhin se duhet të sigurohet një armëpushim dhe qasje në ndihma humanitare.
Në kabinetin e qeverisë federale në Belgjikë janë shtatë ministre. Tri prej tyre së fundmi kanë marrë iniciativa të përbashkëta për çështjen e Gazës, me rastin e marrjes së presidencës së radhës të Bashkimit Evropian (BE) nga Belgjika.
Ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim Caroline Gennez, ministrja e Mbrojtjes Ludivine Dedonder dhe ajo e Punëve të Jashtme Hadja Lahbib, të cilat u bashkuan për operacionin e dërgimit të ndihmave ajrore të Belgjikës në Gaza, dhanë një deklaratë për Anadolu me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Gennez, e cila më parë tërhoqi vëmendjen me deklaratat e saj se donte që Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) të hapte një hetim për krimet e luftës kundër Izraelit dhe se Belgjika po konsideronte njohjen e shtetit palestinez për herë të parë, tha se shumë gra dhe fëmijë u plagosën dhe humbën jetën.
"Ajo që ndodh në Gaza çdo herë prek më të pambrojturit. Gjëja e rëndësishme është që grave të Gazës t'u jepet mesazhi 'mbahuni në jetë'. Vazhdoni të mbroni nderin tuaj. Mbani fëmijët tuaj gjallë. Bota është krenare për ju", tha Gennez.
Mesazhi i qasjes humanitare dhe armëpushimit
Ministrja e Mbrojtjes Ludivine Dedonder tha: "Dua t'u jap mesazhin grave dhe fëmijëve palestinezë se i mbështesim dhe se jemi me ta".
Duke kujtuar se si Ministri e Mbrojtjes, ata bashkëpunuan me Jordaninë dhe dërguan ndihma humanitare për t'u dhënë në Gaza, Dedonder tha: "Shpresojmë të jemi në gjendje t'u dërgojmë ndihma nga toka, përmes portave kufitare dhe me kamionë".
Ministrja e Jashtme Lahbib tha se mesazhi i saj i vetëm për sot është të sigurohet një armëpushim urgjent.
Situata e grave në Gaza
Të paktën 8.900 gra janë vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 1 milion gra dhe vajza janë zhvendosur. Më shumë se 3 mijë gra humbën burrat e tyre dhe u detyruan të merrnin përgjegjësinë për familjet e tyre.
Raportuesit e OKB-së thonë se gratë shtatzëna po përjetojnë një numër në rritje të aborteve. Atyre u duhet të lindin me prerje cezariane pa ilaçe kundër dhimbjeve dhe anestezi dhe se nënat nuk mund t'i ushqejnë me gji foshnjat e tyre për shkak të urisë dhe etjes.