Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes dënoi forcat izraelite që bastisën Mesxhid al-Aksanë, ndërhynë në xhaminë e Kibles dhe arrestuan shumë civilë palestinezë.
Në një komunikatë nga ministria thuhet: "Ne dënojmë forcat izraelite të sigurisë që bastisin xhaminë Al-Aksa, duke ndërhyrë me ata që u strehuan në xhaminë Kibla dhe duke arrestuar një numër të madh civilësh palestinezë, duke shkelur shenjtërinë e Xhamisë së Shenjtë dhe 'status quo'-në historike”.
Theksohet se këto sulme ndaj besimtarëve në Mesxhid al-Aksa gjatë muajit të bekuar të Ramazanit nuk janë ‘të pranueshme në asnjë mënyrë’.
"Ne jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin që tashmë është përhapur në rajon, veçanërisht në Gaza. Qeveria izraelite duhet të ndalojë menjëherë çdo nxitje, veprim dhe sulm që mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon", thuhet në komunikatë.
Çfarë kishte ndodhur?
Mbrëmë një grup palestinezësh u strehuan në Xhaminë e Kibles brenda kompleksit të Al-Aksasë, pas namazit të taravisë, pasi kolonët fanatikë hebrenj bënë thirrje për një bastisje nga hebrenjtë në Xhaminë al-Aksa për shkak të festës së tyre të shenjtë të Pesah (Pashkë) dhe realizimit të sakrificave.
Forcat izraelite bastisën në orët e mesnatës dhe pas namazit të sabahut kompleksin e Al-Aksasë, duke intervenuar me forcë ndaj atyre që u strehuan në Xhaminë e Kibles dhe shndërruan në zonë lufte faltoren e shenjtë.
Gjatë bastisjeve janë arrestuar mbi 200 palestinezë.
Pas bastisjeve të policisë izraelite, nga Rripi i Gazës nën bllokadë në drejtim të Izraelit ishin lëshuar raketa.
Në deklaratën e zyrës së zëdhënësit të ushtrisë izraelite thuhet se në drejtim të qytetit Sderot janë lëshuar pesë raketa, katër prej tyre janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe një raketë ka rënë në tokë të hapur.