Türkiye dënoi vendimin e Izraelit për t'i zgjeruar vendbanimet e tij të paligjshme në Lartësirat e pushtuara të Golanit në Siri.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Türkiyes tha se veprimet e vazhdueshme të Izraelit po minojnë seriozisht përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Siri si dhe i rrisin më tej tensionet në rajon.
Duke e quajtur vendimin "një fazë të re" në zgjerimin izraelit përmes okupimit, në deklaratën e MPJ-së turke thuhet: "Ky hap i Izraelit është burim i një shqetësimi të madh, së bashku me hyrjen e Izraelit në zonën e ndarjes në shkelje të marrëveshjes së ndërprerjes së luftimeve të vitit 1974, përparimin izraelit në zonat ngjitur dhe sulmet ajrore në Siri".
Ministria i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrë "masat e duhura" për t'u dhënë fund "hapave të paligjshëm të qeverisë së Netanyahut".