Ministri i Shëndetësisë i Türkiyes Fahrettin Koca tha se trajtimi i pacientëve me kancer në Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza, i cili duhej të ndërpriste punën si pasojë e sulmeve izraelite, do të vazhdojë dhe se janë të gatshëm të ofrojnë gjithë mbështetjen për transferimin e pacientëve në Türkiye.
Në deklaratën në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Koca theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë një zgjedhje midis lënies së pacientëve me vetëdije të vdesin dhe shpëtimit të jetës së tyre.
"Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze që vepron në Gaza është dashur të ndërpresë plotësisht punën dje si pasojë e mbarimit të karburantit dhe sulmeve të vazhdueshme të Izraelit. Pavarësisht nga të gjitha paralajmërimet dhe thirrjet tona drejtuar institucioneve përkatëse dhe komunitetit ndërkombëtar!", tha Koca duke shtuar se:
"Si Türkiye, ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen në vazhdimin e trajtimit të pacientëve me kancer, të cilët u liruan detyrimisht nga spitali për shkak të mungesës së burimeve dhe për transferimin e pacientëve të tjerë të kujdesit intensiv pediatrik dhe të rritur në Gaza, të cilët janë në nevojë dhe konsiderohen të aftë nga pikëpamja mjekësore, në vendin tonë sa më shpejt të jetë e mundur".
Ai tha se presin që komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet përkatëse t'i përgjigjen thirrjes së Türkiyes dhe të ndërmarrin veprime sa më parë. Koca theksoi se komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet përkatëse nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të parandaluar sulmet në spital.
"Tani, shpëtimi i jetëve të pacientëve është detyrë e pashmangshme. E vetmja mundësi tjetër përveç shpëtimit të jetëve të pacientëve është që me vetëdije t'i lëmë pacientët të vdesin. A ka njeri që thotë 'Unë mund ta marr përgjegjësinë për këtë?'", tha Koca.