Türkiye fillon prodhimin masiv të tankeve “Altay”       / Foto: AA

Türkiye ka filluar prodhimin masiv të tankut të parë kryesor luftarak të prodhuar në vend, “Altay”, ka njoftuar Industria e Mbrojtjes Turke.

Presidenti i Industrisë së Mbrojtjes Turke, Haluk Gorgun, ndau të mërkurën përditësime për tankun kombëtar të Türkiyes “Altay”, duke thënë: "Ne kemi filluar prodhimin masiv të tankut tonë kombëtar. Ka vende që duan të punojnë me ne për këtë ndërkombëtarisht dhe ne po vazhdojmë negociatat me ata”.

Tanku i gjeneratës së re Altay, i prodhuar nga BMC Defense në kuadër të projektit të Presidencës së Industrive të Mbrojtjes, është përmirësuar për të përmbushur kushtet e mjediseve moderne luftarake.

"Shumë nënsisteme janë lokalizuar, teknologjitë dhe inovacionet e përditësuara janë shtuar për të rritur aftësitë e tij luftarake", tha Gorgun.

Duke reflektuar përvojat e fituara nga operacionet e fundit të Forcave të Armatosura Turke, tanku Altay është pajisur me veçori shtesë.

Gorgun shtoi se "teknologjitë digjitale janë integruar gjithnjë e më shumë në Altay, duke lejuar zbulimin, shënjestrimin dhe angazhimin më të saktë dhe më të shpejtë të elementëve të armikut".

Gorgun theksoi gjithashtu fuqinë e Türkiyes në automjetet tokësore, duke thënë: "Ne jemi shumë të fortë si vend në fushën e automjeteve tokësore. Kemi shumë kompani që eksportojnë jashtë vendit. Të gjitha produktet e tyre kanë avantazhe që mund të konkurrojnë me homologët e tyre globalë", theksoi mes të tjerash Gorgun duke potencuar se vendet e NATO-s në Evropë kanë zgjedhur produktet e tyre dhe se do të ketë përparime të reja në këtë drejtim.

TRT Balkan / agjencitë