Türkiye: GjND-ja konfirmon shtypjen dhe pushtimin e Palestinës nga Izraeli          / Foto: AA

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) ka konfirmuar ligjërisht se Izraeli po zbaton politikat e okupimit dhe shtypjes kundër palestinezëve, tha të premten Ministria e Jashtme turke.

Siç thuhet në opinionin këshillues të GJND-së, "Izraeli duhet të përfundojë praninë e tij në territoret palestineze sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kompensojë dëmin që ka shkaktuar", tha ministria në një deklaratë.

"Komuniteti ndërkombëtar është i detyruar të miratojë një qëndrim të vendosur dhe të fortë për t'u dhënë fund praktikave të paligjshme të Izraelit," thuhet në deklaratë.

"Türkiye ka mbështetur procesin në GjND duke dhënë kontribute me shkrim dhe gojore për opinionin këshillues," vuri në dukje ajo.

“Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të sigurojmë që krimet e kryera kundër palestinezëve, përfshirë aktet që përbëjnë gjenocid të imponuara aktualisht mbi popullin e Gazës, të mos mbeten pa u ndëshkuar”, shtoi ministria.

GjND-ja në opinionin e saj tha se pushtimi prej dekadash i tokës palestineze nga Izraeli është "i paligjshëm" dhe duhet t'i jepet fund "sa më shpejt të jetë e mundur".

Në fund të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme kishte miratuar një rezolutë duke kërkuar nga GjND-ja të jepte një opinion këshillues mbi pasojat ligjore që lindin nga pushtimi izraelit i territoreve palestineze që nga viti 1967, se si politikat dhe praktikat e Izraelit ndikojnë në statusin ligjor të okupimit, si dhe cilat janë pasojat juridike që lindin për të gjitha shtetet dhe OKB-në nga ky status.

TRT Balkan / agjencitë